Home / Lajme / Energjia konvencionale / Në pesë vitet e fundit raportuese, njësitë e KEK-ut kanë rënë plot 87 herë dhe kanë pasur 130 ndalesa të paplanifikuara

Në pesë vitet e fundit raportuese, njësitë e KEK-ut kanë rënë plot 87 herë dhe kanë pasur 130 ndalesa të paplanifikuara

Nga viti 2019 deri në vitin 2024, raportet vjetore të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë tregojnë se njësitë e KEK-ut kanë rënë gjithsej 87 herë, duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike në mënyrë të paplanifikuar në 130 raste.

Rekordin për numrin më të madh të rënieve e mban njësia B2, e cila gjatë kësaj periudhe raportuese ka rënë 34 herë. E njëjta njësi mban edhe rekordin për ndalesa të paplanifikuara, me 35 raste gjatë periudhës 2019–2024.

Situatë e ngjashme është evidentuar edhe te njësia B1. Gjatë kësaj periudhe, kjo njësi ka rënë 26 herë dhe ka qenë subjekt i 34 ndalesave të paplanifikuara, thuhet në raportet vjetore të ZRRE-së, të cilat i ka analizuar Energy Monitor.

Ndërkaq, në periudhën para vitit 2019, sipas raporteve vjetore për vitet 2013–2018, njësitë e KEK-ut kishin shënuar gjithsej 91 rënie, por numri i ndalesave të prodhimit ishte më i ulët krahasuar me pesë vitet pasuese, gjithsej 111 raste.

Çfarë janë rëniet, ndalesat e paplanifikuara dhe ato të planifikuara?

Në terminologjinë e sektorit energjetik, “rëniet” dhe “ndalesat e paplanifikuara” nënkuptojnë ndërprerje të menjëhershme të prodhimit të energjisë elektrike, të shkaktuara kryesisht nga defekte teknike, probleme operative apo kushte të paparashikuara në funksionimin e njësive prodhuese.

Rëniet ndodhin zakonisht në mënyrë të papritur dhe pa paralajmërim, duke e detyruar njësinë të dalë jashtë funksionit, ndërsa ndalesat e paplanifikuara përfshijnë periudha më të gjata ndërprerjeje, kur prodhimi ndalet për shkak të avarive që kërkojnë ndërhyrje teknike dhe riparime.

Ndryshe nga këto, ndalesat e planifikuara janë ndërprerje të parapara në programet vjetore të mirëmbajtjes, që realizohen me qëllim të servisit, modernizimit ose rritjes së sigurisë së impianteve dhe zakonisht nuk konsiderohen problematike për stabilitetin e sistemit energjetik.

Termocentrale të vjetra dhe ndotëse: Pse po ndodhin rëniet?

Ekspertët e lidhin këtë situatë drejtpërdrejt me vjetërsinë e njësive prodhuese. Tri njësitë aktive të termocentralit “Kosova A” kanë tejkaluar gjysmë shekulli funksionimi. Blloku A5, më i riu, ka hyrë në vitin e 51-të të punës, ndërsa A3 dhe A4 janë përkatësisht 56 dhe 55 vjeç.

Edhe njësitë e “Kosova B”, ndonëse më të reja, janë afër ose mbi jetëgjatësinë mesatare të termocentraleve me thëngjill. B1, e funksionalizuar më 1983, tashmë është në vitin e 43-të të operimit, ndërsa B2 është vetëm një vit më e re.

Vetë Strategjia Kombëtare e Energjisë e identifikon vjetërsinë e njësive të “Kosova A” si shqetësim serioz, duke theksuar se ato janë në fund të jetëgjatësisë së tyre teknike. Megjithatë, përkundër problemeve të besueshmërisë dhe ndikimit mjedisor, termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” vazhdojnë të përbëjnë boshtin kryesor të prodhimit vendor të energjisë elektrike.

Sipas Besnik Boletinit nga organizata “Çohu”, rëniet e shpeshta janë pasojë e mungesës së vendimeve strategjike për investime në kapacitete të reja prodhuese.

Ai thekson se për më shumë se një dekadë janë diskutuar alternativa të ndryshme, por pa rezultate konkrete, ndërkohë që njësitë ekzistuese vazhdojnë të operojnë përtej kufijve të sigurisë dhe qëndrueshmërisë teknike.

Në mungesë të kapaciteteve të reja, ideja e dekomisionimit të një pjese të termocentralit “Kosova A” është shtyrë vazhdimisht, duke e lënë sistemin energjetik të Kosovës të varur nga impiante të vjetruara dhe gjithnjë e më të paqëndrueshme.