Afat deri në shkurt për rritjen e pagave.
Sindikatat në Korporatën Energjetike të Kosovës, KEK, po paralajmërojnë nisjen e një greve nëse deri në fund të shkurtit nuk realizohet kërkesa për rritjen e pagave të punëtorëve. Kreu i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, tha se një takim me drejtuesit e KEK parashikohet të realizohet më 16 shkurt dhe nëse nuk arrihet dakordësia, do të nisë greva.
“Dialogu duhet të ketë fund, dhe fundin e ka pasqyrat financiare. Pra, në fund të shkurtit ne do të vendosim: në rast se nuk ka ngritje të pagave të kënaqshme për punëtorët e KEK-ut, atëherë ne do të vazhdojmë me statutin sindikal, në përputhje me të, veprimet do t’i bëjmë deri tek greva”.
Drejtuesi i kësaj sindikate zbulon edhe kushtet që kanë, duke theksuar se punojnë në kushte të vështira.
“Paga mesatare e kemi 750 euro. Kryeshefi ka thënë se paga mesatare në KEK është rreth 1100 euro. Ne s’po duam me ia prish, e kemi atë kërkesë që ta bëjmë pagën mesatare 1100 euro. Dhe faktikisht është 350 euro diferenca”.
Ndërsa disa ditë më parë në Kosovë pati edhe një protestë të qytetarëve, të cilët dolën kundër propozimit të KEK për rritjen me 21% të çmimit të energjisë, duke e konsideruar të papërballueshme nga ana financiare.
/tvklan.al



