Një konsorcium i udhëhequr nga Bursa e Athinës (ATHEX) është përzgjedhur për të zhvilluar dhe implementuar platformën online për tregtimin e energjisë elektrike të ALPEX, bursës shqiptaro-kosovare të energjisë. Projekti synon të forcojë funksionimin e tregut të ditës përpara dhe tregut brenda ditës për zonat e Shqipërisë dhe Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, platforma e re do të ofrojë një sistem modern, të automatizuar dhe të sigurt për tregtimin e energjisë, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe likuiditetin e tregut. Zgjidhja teknologjike pritet të jetë në përputhje me standardet evropiane të tregjeve të energjisë dhe të mundësojë integrim të mëtejshëm rajonal në të ardhmen, njofton Energy Monitor.
Ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e rolit të ALPEX si treg i përbashkët energjetik për Shqipërinë dhe Kosovën, duke krijuar bazën për funksionim më të qëndrueshëm të mekanizmave të tregtimit dhe për harmonizim me praktikat e tregut të Bashkimit Evropian.
Platforma e re do të mbështesë operimin e tregut të ditës përpara dhe të tregut intraday, duke përmirësuar proceset e ofertimit, përputhjes së çmimeve dhe menaxhimit të transaksioneve. Autoritetet e tregut vlerësojnë se ky investim do të kontribuojë në rritjen e konkurrencës, optimizimin e çmimeve dhe përmirësimin e sigurisë së furnizimit në të dy vendet, përcjell Energy Monitor.
Projekti vjen në një fazë kur integrimi i tregjeve të energjisë në rajon po merr rëndësi të shtuar, ndërsa Shqipëria dhe Kosova synojnë të forcojnë bashkëpunimin energjetik dhe të rrisin funksionalitetin e tregut përmes mekanizmave të përbashkët dhe dixhitalizimit të proceseve.
/Energy Monitor



