Home / Lajme / Tjera / Nga miniera në liri: KEK përkujton punëtorët e vet që ranë për Kosovën

Nga miniera në liri: KEK përkujton punëtorët e vet që ranë për Kosovën

Sindikata e Re e KEK-ut ka përkujtuar sot me respekt dhe përulësi punëtorët e Mihjes Sipërfaqësore në Bardh, të cilët ranë dëshmorë gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Kujdestari.info.

Me këtë rast, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, së bashku me anëtarë të Kryesisë, kanë vendosur lule pranë pllakës përkujtimore, në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për sakrificën e tyre.

Nga Sindikata u tha se këta punëtorë nuk ishin vetëm kontribuues të sektorit energjetik, por edhe bij të këtij vendi, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Dëshmorët e Mihjes Sipërfaqësore mbeten shembull i përkushtimit dhe sakrificës për atdheun. Kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë i gjallë në ndërgjegjen tonë kolektive dhe në historinë e Kosovës”, thuhet në mesazhin përkujtimor.

Sindikata e Re e KEK-ut ritheksoi përkushtimin për të ruajtur dhe nderuar kujtimin e të gjithë dëshmorëve, duke vlerësuar lart kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në çlirimin e vendit.