Home / Lajme / Tjera / “Lucid Air Grand Touring” thyen rekordin për udhëtimin më të gjatë me një karikim të vetëm

“Lucid Air Grand Touring” thyen rekordin për udhëtimin më të gjatë me një karikim të vetëm

Një makinë elektrike nga prodhuesi amerikan “Lucid” ka thyer rekordin për udhëtimin më të gjatë me një karikim të vetëm, duke udhëtuar nga qyteti zviceran i Saint Moritz-it përmes Austrisë në qytetin jugor gjerman të Mynihut.

Kompania tha sot se automjeti përshkroi gjithsej 1,205 kilometra, duke tejkaluar Rekordin Botëror të mëparshëm të Guinness-it prej 1,045 kilometrash – të arritur nga një Mercedes në Japoni në qershor.

Modeli “Lucid Air Grand Touring” vendosi rekordin e ri fundjavën e kaluar.

“Ky rekord i autonomisë përfaqëson një moment të rëndësishëm. Është një tjetër demonstrim i qartë i avantazhit teknologjik që përcakton “Lucid”, tha nënkryetari i lartë Eric Bach, duke argumentuar se teknologjia e kompanisë lejon që një automjet “Lucid” të udhëtojë më tej me më pak energji sesa çdo automjet tjetër.

“Kompania me qendër në Silicon Valley është pak e njohur në Evropë, me rreth 500 automjete elektrike të regjistruara në Gjermani”, sipas shifrave zyrtare në muajin prill.

Modeli “Air Grand Touring” është i shtrenjtë, me një vlerë rreth 130,000 euro (152,000 dollarë).

Ekspertët e industrisë gjermane reaguan me kujdes ndaj shifrës rekord.

Ferdinand Dudenhoffer nga Qendra për Kërkime Automobilistike theksoi se autonomia e automjeteve të reja elektrike është përmirësuar ndjeshëm gjatë tre ose katër viteve të fundit dhe nuk është më shumë larg autonomisë së një automjeti me naftë.

Përveç kësaj, kohët e karikimit po bëhen gjithnjë e më të shkurtra. Si rezultat, aspekti i autonomisë po bëhet më pak i rëndësishëm për të bindur klientin për të blerë mjetin.