Qeveria e Kosovës ka miratuar një iniciativë të rëndësishme drejt forcimit të infrastrukturës rregullatore në fushën e sigurisë së digave. Në mbledhjen e 264-të, ekzekutivi ka aprovuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), me qëllim krijimin e një kornize rregullatore kombëtare për menaxhimin e digave në vend.
Ky grant, në vlerë prej 1 milion dollarësh, synon të ofrojë asistencë teknike dhe mbështetje institucionale për përgatitjen strukturore të Kosovës në drejtim të zbatimit dhe mbikëqyrjes së sigurisë së digave, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përmes këtij projekti, Kosova synon të adresojë një boshllëk të rëndësishëm në menaxhimin e burimeve ujore, duke siguruar që digat ekzistuese dhe ato të ardhshme të ndërtohen, funksionojnë dhe monitorohen në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe transparente. Rritja e kapaciteteve rregullatore do të ndihmojë jo vetëm në parandalimin e rreziqeve natyrore dhe teknike, por edhe në sigurimin e ujit për ujitje, furnizim publik dhe prodhim të energjisë.
Përveç këtij vendimi, Qeveria ndau edhe 2 milionë euro për mbështetjen e punësimit të qytetarëve nga komunitetet joshumicë në gjithë vendin, si dhe 580 mijë euro për bashkëfinancimin e ndërtimit të Shkollës së Muzikës dhe Muzeut në Preshevë, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Gjithashtu, u rialokuan 1.2 milionë euro për realizimin e projekteve kapitale në dhjetë komuna të Kosovës.
Me këtë vendim për sigurinë e digave, Kosova hedh një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe menaxhimit të duhur të infrastrukturës kritike ujore.