Home / Lajme / Kosova / ZRRE licencon dy kompani të reja për tregtim të energjisë elektrike dhe miraton 25 projekte për vetë-konsum

ZRRE licencon dy kompani të reja për tregtim të energjisë elektrike dhe miraton 25 projekte për vetë-konsum

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur sot Seancën e tetë për këtë vit, ku janë miratuar një sërë vendimesh që ndikojnë drejtpërdrejt në sektorin energjetik të Kosovës.

Gjatë seancës, Bordi ka shqyrtuar dhe miratuar aplikacionet për licencim në aktivitetin e furnizimit me shumicë (tregtimit) të energjisë elektrike për dy kompani: “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k. Këto licenca pritet të nxisin konkurrencën dhe rritjen e fleksibilitetit në tregun e energjisë elektrike në vend.

Po ashtu, janë miratuar kërkesat e 11 subjekteve juridike dhe 14 personave fizikë për marrjen e autorizimit për vetë-konsum të energjisë, me një kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1282 kW.

Këto projekte të reja të vetë-konsumit kontribuojnë në përhapjen e prodhimit të shpërndarë dhe përfshirjen më të gjerë të qytetarëve dhe bizneseve në tranzicionin energjetik.

Bordi ka trajtuar gjithashtu ankesa të konsumatorëve dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin dhe mandatin e ZRRE-së.

Vendimet e plota të Bordit do të publikohen në faqen zyrtare të ZRRE-së: www.ero-ks.org.