Dita e Riciklimit është shënuar me aktivitete ndërgjegjësuese dhe konkrete nga organizata EcoZ, në bashkëpunim me SHFMU “Ibrahim Banushi” në Shalë të Lipjanit dhe projektin ProBleu.
Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit u përfshinë në diskutime mbi rëndësinë e riciklimit dhe ndikimin e tij në mbrojtjen e mjedisit, duke mësuar më shumë për mënyrat se si materialet si plastika, letra dhe metali mund të ripërdoren për të reduktuar mbeturinat dhe ndotjen.
Përveç pjesës edukative, aktiviteti u shoqërua edhe me veprime konkrete në terren, ku nxënësit morën pjesë në pastrimin e hapësirave përreth Liqenit të Badovcit, përcjell Energy Monitor.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Young Water Detectives”, i financuar nga ProBleu, ku EcoZ dhe shkolla janë përfituese. Projekti synon të rrisë vetëdijen dhe njohuritë e të rinjve për mbrojtjen e ujit dhe mjedisit në përgjithësi.
Përmes aktiviteteve të tilla, synohet të inkurajohet angazhimi i brezave të rinj në mbrojtjen e natyrës dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme në komunitet.
/Energy Monitor



