Home / Lajme / Kosova / Shabani Mullarama: Tranzicioni energjetik në Kosovë po avancon me reforma dhe politika konkrete

Shabani Mullarama: Tranzicioni energjetik në Kosovë po avancon me reforma dhe politika konkrete

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, ka prezantuar reformat kryesore që po ndërmerren për tranzicionin e drejtë energjetik në Kosovë, gjatë një paneli të organizuar në kuadër të edicionit të 13-të të Java e Gruas (WoW).

Paneli me temë “Tranzicioni i Drejtë i Energjisë në Kosovë: nga politikat në zbatimin lokal” mblodhi përfaqësues institucionalë dhe ekspertë për të diskutuar mbi sfidat dhe progresin në sektorin energjetik.

Gjatë diskutimit, Shabani Mullarama theksoi se tranzicioni energjetik në vend po zbatohet përmes një sërë reformash dhe politikash strategjike, duke përfshirë Strategjinë e Energjisë 2022–2031, zhvillimin e ankandeve për energji të ripërtëritshme dhe projektet si Solar4Kosovo. Ajo gjithashtu përmendi programet që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, si pjesë e përpjekjeve për një tranzicion më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, përcjell Energy Monitor.

Një theks i veçantë u vendos te roli i komunave dhe përfshirja e komuniteteve në zbatimin e politikave energjetike, si dhe tek integrimi i dimensionit social dhe gjinor. Sipas saj, kjo realizohet përmes mekanizmave si vlerësimi i ndikimit gjinor, buxhetimi gjinor dhe skemat e subvencionimit që synojnë të mbështesin familjet në nevojë dhe të reduktojnë varfërinë energjetike.

Në përfundim, ajo nënvizoi se tranzicioni energjetik është një proces kompleks dhe gjithëpërfshirës, që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve, me qëllim që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe askush të mos mbetet pas.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com