Home / Lajme / Kosova / Kush do të kompensohet nga pasaktësitë në njehsorët elektrikë?

Kush do të kompensohet nga pasaktësitë në njehsorët elektrikë?

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se do të kompensohen të gjithë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë e mundshme tarifore në faturimin e energjisë elektrike, përkatësisht nga problemet e mundshme me njehsorët elektrikë në Kosovë.

Përveç konsumatorëve, njehsorët e të cilëve janë verifikuar se kanë pasur pasaktësi, edhe konsumatorët e tjerë që dyshojnë se mund të jenë prekur nga këto pasaktësi kanë të drejtë të paraqesin ankesë, thanë për Radion Evropa e Lirë nga ky rregullator.

Në rast se vërtetohet se janë dëmtuar, konsumatorët do të kompensohen.

“Fillimisht, konsumatorët ankesat mund t’i paraqesin në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit [MINT], pastaj te Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike [KEDS]. Nëse nuk pajtohen me përgjigjet e tyre, ankesa mund të drejtohet në ZRRE”, thanë nga rregullatori.

Çështja e njehsorëve është ngritur disa javë më herët – pasi partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe media lokale Nacionale publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre, rreth 2 mijë mostra në total, për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

Nga inspektimet në terren, pas shqetësimeve të ngritura për pasaktësi në njehsorë, MINTI ka bërë të ditur se njehsorët e verifikuar kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë dhe pasaktësi në datë dhe orë.

Megjithatë, sipas kësaj ministrie, matjet e energjisë elektrike kanë rezultuar të jenë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar.

Radio Evropa e Lirë pyeti se sa mund të jetë vlera e kompensimit dhe sipas ZRRE-së, vlerat financiare ndryshojnë, por se ato janë të vogla.

Madje, sipas ZRRE-së, një numër i vogël i konsumatorëve mund të përfitojnë nga kompensimi, pasi pa vetëdije ata kanë përfituar tarifa të ulëta gjatë ditës.

Edhe në komunikatën për media, të këtij rregullatori, më 21 prill, thuhet se “në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet”.

Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ndryshon varësisht nga koha e shpenzimit.

Tarifa e lartë shfrytëzohet gjatë ditës dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, gjatë dimrit aplikohet në periudhën 22:00–07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00–08:00.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag.

Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

Më 16 prill, MINTI ka gjobitur KEDS-in me 30.000 mijë euro për gjashtë njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë.

KEDS-i i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.

Sipas KEDS-it, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë.

ZRRE njëherësh në komunikatën e lëshuar më 21 prill ritheksoi se KEDS-i dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe operojnë në përputhje me kornizën ligjore, gjë që e kufizon mundësinë për të përfituar nga gabimet eventuale në matjen e energjisë elektrike.

“Gabimet eventuale nëse ndodhin mund të kenë efekt të përkohshëm deri në identifikimin dhe korrigjimin e tyre dhe çdo konsumator i prekur do të kompensohet plotësisht”, u tha në njoftim.

Po të martën, Kuvendi i Kosovës ka debatuar për gjendjen në sektorin e energjisë në vend, në një seancë të jashtëzakonshme, mes shqetësimeve për çmimin e lartë të rrymës, mungesën e prodhimit dhe dyshimeve për manipulime me faturim.

Deputetë opozitarë e akuzuan Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, për siç thanë, gjendjen e rënduar në sektorin e energjisë, akuza që u hodhën poshtë nga kabineti qeverisës.

/evropaelire.org

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com