Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se anulimi i projektit të Termocentralit “Kosova e Re” përbën dëmin më të madh të shkaktuar Kosovës në sektorin e energjisë.
Në seancën parlamentare ku po diskutohet për çmimin e energjisë elektrike, Haradinaj tha se ky projekt me kapacitet prej 500 megavatësh ka qenë i rëndësishëm për sigurinë energjetike të vendit.
“Anulimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ është dëmi më i madh që i është shkaktuar Kosovës dhe popullit të Kosovës. Nuk ka goditje më të madhe. Anulimi i termocentralit prej 500 megavatëve është dëm në siguri,” deklaroi Haradinaj.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe siç tha “grupin rreth tij” si përgjegjës për, siç u shpreh, anulimin e projektit dhe dëmtimin e pavarësisë energjetike.
“Shkaktari ose arkitekti kryesor i anulimit të këtij projekti me qymyr të Kosovës dhe çmim 80 euro për megavat është Albin Kurti dhe grupi rreth tij. E ka dorëzuar pavarësinë energjetike të Kosovës, me qëllim – dihet ku,” tha ai.
Haradinaj shtoi se Kosova është dëmtuar qëllimisht në kapacitetet e prodhimit të energjisë me qymyr dhe se kjo ka pasoja afatgjata.
“Dikush është kujdesur me vite të tëra që mos me e lanë Kosovën me prodhu energji me qymyr të vetin. Serbia nuk ka kriju fitore më të madhe në Kosovë pas ’99-ës se sa ky dështim dhe dorëzimi,” u shpreh Haradinaj.
Ai i bëri thirrje edhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojnë brenda subjektit të tyre politik.
“Krejt Lëvizjen Vetëvendosje e lus: Interesohuni për këtë që po e them! Këtu janë njerëzit në këtë parlament që e kanë shkaktu këtë goditje ndaj Kosovës dhe s’kanë me mujt me u mshef,” tha ai.
Haradinaj pretendoi gjithashtu për ekzistencë të një “mafi energjetike” në rajon dhe për ndikime në sektorin energjetik.
“A e dini pse? Sepse rreth tyre janë grumbullu mafia energjetike e Ballkanit, të cilën e dominojnë serbët, dhe këtë e dinë të gjithë në këtë sallë. Lidhja e shkurt Kurti–Dejona Mihali krijojnë kompani çdo dy javë, i regjistrojnë në Shqipëri dhe i sjellin në Kosovë si kompani fantazmë,” deklaroi ai, duke përmendur edhe emra kompanish.
Sipas tij, përmes këtyre kompanive dhe personave të afërt me pushtetin kontrollohen institucione të rëndësishme të energjisë.
“Këta janë kujdesur me i kontrollu të gjitha institucionet që merren me energji,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se, sipas tij, kryeministri nuk është i interesuar për këtë çështje.
“Kryeministri nuk lodhet për këtë, ai e ka gjetur formulën për vota, e ka bërë gati një pako për me i çkep disa pare që po i merr përmes këtyre çmimeve,” u shpreh ai.
Haradinaj përfundoi duke akuzuar për ekzistencë të lidhjeve korruptive në sektorin e energjisë, duke përmendur emra dhe struktura politike.
“Ka lidhje të shkurt të hajnisë në energji. Kryehajni është Albin Kurti, kryehajnesh është Dejona Mihali,” deklaroi ai.
Deklaratat e tij shkaktuan reagim në sallë, ku kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i tërhoqi vërejtjen Haradinajt për gjuhën e përdorur, duke i kërkuar kujdes dhe duke e paralajmëruar se kjo është vërejtja e fundit ndaj tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur intervistimet në terren lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë.
Më 07.04.2026, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, në cilësinë e dëshimtarit ka dorëzuar në Polici dëshmi rreth çështjes me njehsorët elektrikë.
“Unë jam ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për t’i paraqitë dëshmitë e mia dhe të qytetarëve. Jam në proces të dëshmisë dhe po e jap deklaratën time si dëshmitar dhe duke besuar në Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës, Gjykatën e Kosovës, shpresoj që kjo të merr zgjidhjen e merituar”- ka thënë Azemi më 07.04.2026.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 27.03.2026 dëshmitë për çka pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën.
KEDS kishte reaguar në raport me pretendimet e Visar Azemit se njehsorët e energjisë elektrike e masin kohën gabimisht dhe kishin garantuar se matjet janë të sakta, të besueshme dhe transparente.
Një komision i posaçëm i themeluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut, ka nisur më 01.04.2026 verifikimin e ankesave të para të qytetarëve për njehsorët e rrymës.
Ministria ka njoftuar se njehsorët te të cilët janë vërejtur mospërputhje të kohës janë tërhequr nga funksioni dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.
MINTI ka gjobitur kompaninë KEDS, në lidhje me njehsorët matës të energjisë elektrike. Përmes një komunikate për media, MINTI ka thënë se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmëirsë së njehsorëve elektrikë.
“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”- thuhet në njoftimin e MINTI-t më 14.04.2026, duke mos bërë të ditur shumën totale të gjobave.
MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të parashtrojnë ankesa në adresën elektronike: konsumatori@rks-gov.net dhe të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.
/kallxo.com



