Fitore Pacolli po merr pjesë në Istanbul International Water Forum, një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e ujit, mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë forum të nivelit të lartë në Stamboll, Pacolli po përfaqëson Republikën e Kosovës përkrah liderëve globalë dhe vendimmarrësve ndërkombëtarë, në diskutime që fokusohen në menaxhimin e burimeve ujore dhe politikat mjedisore.
Sipas deklarimeve të saj, burimet ujore nuk përbëjnë vetëm pasuri natyrore, por edhe një element të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, ndërsa forumet e tilla shërbejnë si platforma për shkëmbim të ekspertizës dhe teknologjisë në funksion të mbrojtjes së ekosistemeve dhe reformave mjedisore, transmeton Energy Monitor.
Ministrja ka theksuar se pjesëmarrja e Kosovës në këto iniciativa tregon rritjen e rolit të saj në diskutimet globale për mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke shtuar se vendi po bëhet pjesë më aktive e agjendës ndërkombëtare mjedisore.
Ajo ka shprehur gjithashtu falënderim për Ministrin e Turqisë, İbrahim Yumaklı, për ftesën dhe për vlerësimin e treguar ndaj Kosovës në këtë forum.
Forumi në Stamboll bashkon përfaqësues nga vende të ndryshme për të diskutuar sfidat globale të ujit, në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe menaxhimi i resurseve ujore po marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe në politikat publike ndërkombëtare.



