Home / Lajme / Kosova / Vizitë në Athinë: Kosova intensifikon përgatitjet për sisteme të ruajtjes së energjisë përmes baterive

Vizitë në Athinë: Kosova intensifikon përgatitjet për sisteme të ruajtjes së energjisë përmes baterive

Kosova po avancon përgatitjet për zhvillimin e projekteve të ruajtjes së energjisë përmes baterive, përmes një serie vizitash studimore dhe angazhimesh institucionale në Greqi, me fokus si në aspektet teknike ashtu edhe në ato rregullatore dhe mjedisore.

Sipas MCA Kosovo, përfaqësues nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë zhvilluar vizita në Athinë për t’u njohur nga afër me praktikat më të mira për lejet mjedisore, licencimin dhe implementimin e projekteve të sistemeve të ruajtjes së energjisë përmes baterive.

Delegacioni është pritur nga Ministria e Mjedisit dhe Energjisë e Greqisë, ndërsa gjatë takimeve janë prezantuar procedurat për vlerësimin e ndikimit në mjedis, aspektet e qëndrueshmërisë dhe mënyrat për minimizimin e ndikimeve sociale dhe mjedisore të projekteve të tilla. Në diskutime kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të industrisë, përfshirë sektorin e energjisë së erës, njofton Energy Monitor.

Në kuadër të vizitës, përfaqësuesit kosovarë kanë analizuar gjithashtu një projekt konkret me kapacitet 40 MW / 80 MWh – aktualisht i pari i këtij lloji në Greqi – duke u njohur me përbërjen e baterive, lidhjet me inverterë dhe nënstacione, si dhe masat për mbrojtje nga zjarri dhe standardet e sigurisë gjatë operimit.

Sipas njoftimit, këto përvoja do të ndihmojnë institucionet në Kosovë në shqyrtimin e aplikimeve për leje për projekte të ngjashme, në një kohë kur vendi po përgatitet për implementimin e kësaj teknologjie në shkallë të gjerë.

Në këtë drejtim, programi i Millennium Challenge Corporation në Kosovë parasheh zhvillimin e një projekti me kapacitet 170 MW / 340 MWh, i cili konsiderohet ndër investimet më të mëdha dhe më inovative në sektorin energjetik në dekadat e fundit.

Zhvillimi i këtyre projekteve pritet të rrisë fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik, të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe të lehtësojë integrimin e burimeve të ripërtëritshme, duke e afruar Kosovën me praktikat dhe standardet ndërkombëtare në sektorin e energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com