Rritja e çmimeve në Kosovë ka vazhduar edhe gjatë muajit prill 2026, me inflacionin që ka arritur në 7,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se çmimet e konsumit kanë shënuar rritje edhe në baza mujore.
Çmimet në Kosovë vazhdojnë të marrin tjetër hov, duke e bërë jetën edhe më të rëndë. Nga ushqimi e deri te faturat e energjisë, transporti, restorantet e shërbimet e tjera, rritja e çmimeve po ndihet pothuajse çdo kund.
Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave tregojnë se inflacioni vazhdon të mbetet i lartë.
Sipas të dhënave të publikuara për muajin prill 2026, shkalla vjetore e inflacionit në Kosovë ka arritur në 7,5 për qind, krahasuar me prillin e vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një muaji çmimet janë rritur për 1,1 për qind.
Rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te transporti, ku çmimet janë ngritur për 16,1 për qind.
Menjëherë pas tij vjen sektori i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve tjera djegëse me një rritje prej 15,2 për qind, duke reflektuar barrën e madhe që po ndjejnë familjet në pagesat mujore.
“Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,5 %në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %).”

Po ashtu, ngritje të konsiderueshme kanë pasur edhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5,8 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 5,6 për qind. Rritje është evidentuar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,1 për qind, shëndetësia me 4,7 për qind, si dhe kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe shërbimet e ndryshme me 3,6 për qind.
Edhe pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore janë bërë më të kushtueshme me 3,1 për qind, ndërsa rekreacioni, sporti dhe kultura kanë shënuar rritje prej 3 për qind. Çmime më të larta janë regjistruar edhe te veshjet dhe këpucët me 2,3 për qind.
“Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur për 1,1% në muajin prill 2026, krahasuar me muajin mars 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transport (4,9 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (1,2 %); rekreacion, sport dhe kulturë (0,4 %); mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (0,3 %); ushqim dhe pije joalkoolike (0,1 %); dhe veshje dhe këpucë (0,1 %).”
Të dhënat tregojnë se rritja e çmimeve nuk është ndalur as në baza mujore. Krahasuar me marsin 2026, inflacioni në prill ishte 1,1 për qind më i lartë. Edhe këtu, ndikimin kryesor e ka pasur sektori i transportit, ku çmimet janë rritur për 4,9 për qind vetëm brenda një muaji.
Po ashtu, rritje mujore është regjistruar te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 1,2 për qind, rekreacioni dhe kultura me 0,4 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 0,3 për qind, si dhe ushqimi, pijet joalkoolike, veshjet dhe këpucët me 0,1 për qind.
Ndërkohë, rënie e lehtë mujore është regjistruar vetëm te kujdesi personal dhe shërbimet sociale me -0,2 për qind.




