Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepça ka ngritur shqetësime serioze për gjendjen në minierë, duke paralajmëruar se mungesa e investimeve dhe kushtet e vështira të punës po rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e minatorëve.
Sipas sindikatës, situata aktuale në minierë është shqetësuese dhe kërkon veprime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
“‘Trepça’ ka nevojë të menjëhershme për investime serioze në pajisje dhe kushte pune. Me pajisje të vjetra dhe mungesë mirëmbajtjeje nuk mund të ketë zhvillim, por vetëm rritje të rrezikut”, thuhet në reagim.
Në njoftim theksohet se sindikata ka alarmuar vazhdimisht për gjendjen e rënduar, duke paralajmëruar se mungesa e investimeve po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për punëtorët, përcjell Energy Monitor.
“Sot po vërtetohet ajo që kemi theksuar prej kohësh. Gjendja në minierë është shqetësuese dhe kërkon veprim urgjent. Trepça ka nevojë të menjëhershme për investime serioze në pajisje dhe kushte pune. Me pajisje të vjetra dhe mungesë mirëmbajtjeje nuk mund të ketë zhvillim, por vetëm rritje të rrezikut”, thuhet më tej.
Sindikata u ka bërë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar pasoja më të rënda.
“Shpresojmë që të mos kemi pasoja në jetë njerëzish, sepse çdo vonesë në reagim mund të kushtojë shtrenjtë. Siguria e minatorëve duhet të jetë prioritet absolut”, përfundon reagimi.



