Shoqëria “Eco Park Group” L.L.C. ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikacionin për marrjen e autorizimit për ndërtimin e një impianti të ri fotovoltaik me kapacitet të instaluar prej 84 MW në zonën kadastrale Trestenik, në komunën e Pejës.
Aplikimi është dorëzuar më 8 maj 2026, në përputhje me Rregullën Nr. 03/2022 për procedurën e autorizimit të projekteve të energjisë, e cila përcakton kornizën rregullatore për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në Kosovë.
Në dokumentacionin e dorëzuar në ZRRE, kompania ka përfshirë pëlqime mjedisore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, leje urbanistike nga Komuna e Gjakovës, marrëveshjen për kyçje në rrjet me KOSTT, studimin e fizibilitetit teknik dhe financiar, planin e biznesit, si dhe parakontratën EPC për ndërtim.
Po ashtu, “Eco Park Group” ka dorëzuar dëshmi mbi të drejtat pronësore, deklaratë për shitjen e energjisë dhe dëshmi për sigurimin e 10% të vlerës së investimit, si dhe dokumentacionin tjetër administrativ të kërkuar për këtë fazë të procedurës, njofton Energy Monitor.
Sipas aplikimit, energjia elektrike e prodhuar nga ky projekt pritet të shitet në treg të lirë, me çmime të tregut, duke e pozicionuar projektin si investim privat pa mekanizma të garantuar mbështetës.
ZRRE ka bërë të ditur se palët e interesuara mund të paraqesin komentet e tyre brenda tetë ditëve nga publikimi i njoftimit, ndërsa dosja e aplikimit është e qasshme sipas rregullave për qasje në dokumente publike.
Ky projekt vjen në një periudhë të rritjes së investimeve në energjinë diellore në Kosovë, si pjesë e zgjerimit të kapaciteteve të ripërtëritshme dhe diversifikimit të prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Njoftimi Publik – Aplikacioni për Autorizim_ECO PARK GROUP SH.P.K
Shoqëria „Eco Park Group“ L.L.C., me numër Unik Identifikues 810844432 me adresë: Rr. „Qafa-Madanaj“ pn, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës, në përputhje me dispozitat e Nenit 13 të Rregullës Nr. 03/2022 për Procedurën e Autorizimit për Ndërtimin e Projekteve të Energjisë, me datë 08.05.2026 ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikacionin për marrje të Autorizimit dhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese për prodhim të energjisë elektrike nga panelet solare me kapacitet të instaluar prej 84 MW ZK Trestenik, Komuna e Pejës, Republika e Kosovës.
Shoqëria „Eco Park Group“ L.L.C., për projektin solar me kapacitet të instaluar prej 84 MW ZK Trestenik, Komuna e Pejës, me rastin e aplikimit, ka dorëzuar në ZRRE dëshmitë për marrje të AUTORIZIMT siç janë:
- Vendimi për Pëlqimin Mjedisor Nr.1371-2/24 i dt. 10.07.2024 të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
- Vendimi Nr. 1372-2-2/26 i dt. 10.04.2026 të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
- Pëlqimi nr. 08-350-11348 i dt. 07.02.2024 Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Gjakovës.
- Vendimi Nr. 5707-2/25 i dt. Numri i vrojtimit të lejes: K.III-6/2026 i dt. 07.04.2026 për projektin impiantin fotovoltaik Parku Solar 84 MW, ZK Trestenik, Komuna e Pejës, e lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
- Marrëveshja e Kyçjes në Rrjetin e Transmisionit të Kosovës, nr. 1311 dt. 20.05.2025 e lëshuar nga KOSTT SH.A.,
- Dëshmi mbi të drejtat pronësore;
- Deklaratën për shitjen e energjisë;
- Dëshmi për posedimin e 10% të vlerës së investimit;
- Parakontratën për Inxhinieri, Prokurim dhe ndërtim (EPC);
- Studimi i fizibilitetit teknik dhe financiar,
- Plani i Biznesit; dhe
- Plani Dinamik i Realizimit.
Aplikuesi ka dorëzuar edhe kërkesat administrative sipas aplikacionit dhe ka dorëzuar deklaratën që, energjia e prodhuar nga ky projekt do të shitet bazuar në çmimet e tregut.
Njoftohen të gjitha palët e interesuara që vërejtjet e tyre eventuale lidhur me këtë aplikacion, mund ti paraqesin në ZRRE brenda 8 (tetë) ditësh nga data e publikimit të këtij njoftimi në adresën elektronike: leke.sahatqiu@ecopark-ks.com dhe LEGAL-LECENSING@ero-ks.org
Qasja në dosjen e Aplikimit, për të cilat Aplikuesi ka lejuar qasje, mundësohet për aq sa e lejon legjislacioni për Qasje në Dokumentet Publike.



