Home / Lajme / Makinat elektrike / IEA: Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit pritet të rrisë kërkesën për automjete elektrike 

IEA: Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit pritet të rrisë kërkesën për automjete elektrike 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IAE) njoftoi sot se shitjet globale të automjeteve elektrike, ka gjasa të marrin një shtysë të re, si pasojë e luftës në Iran, ndërsa çmimet e larta të naftës po nxisin kalimin nga motorët me djegie të brendshme.

Agjencia me seli në Paris tha se shitjet globale të automjeteve elektrike janë rritur tashmë me 20% gjatë vitit 2025, duke kaluar 20 milionë njësi.

Kjo do të thotë se një në katër makina të reja të shitura në botë vitin e kaluar ishte elektrike.

Sipas raportit, prodhuesit nga Kina përbënin 60% të shitjeve globale të automjeteve elektrike, ndërsa prodhuesit nga Evropa dhe SHBA-ja, së bashku me tregun e Amerikës së Veriut kishin secili rreth 15% të tregut global.

Në Gjermani, tregu më i madh evropian për automjetet elektrike, shitjet u rritën me 50% gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin rekord prej 850 mijë automjetesh.

IEA-ja parashikon që shitjet globale të automjeteve elektrike të rriten më tej këtë vit, duke arritur rreth 23 milionë automjete, ose afro 30% të të gjitha makinave të shitura në botë.

Sipas raportit, bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, korridori jetik detar përmes të cilit kalonin rreth 20% e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm para luftës SHBA-Izrael kundër Iranit – pritet të përshpejtojë më tej shitjet e automjeteve elektrike, në afat të mesëm, për shkak të çmimeve të larta të vazhdueshme të naftës.

Agjencia pret që qeveritë kombëtare të prezantojnë subvencione për blerjen e automjeteve elektrike dhe stimuj të tjerë, për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët dhe për të ulur varësinë nga importet e naftës.

“Shitjet e makinave elektrike vendosën rekorde të reja në afro 100 vende vitin e kaluar. Popullariteti në rritje i tyre ka sjellë një ndryshim të madh në tregun e automjeteve dhe në sistemin energjetik në tërësi, duke ofruar njëfarë lehtësimi gjatë goditjes më të madhe në histori ndaj furnizimit me naftë”, tha drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol.

Ai shtoi se rënia e çmimeve të baterive dhe masat e mundshme politike për krizën aktuale globale të energjisë, pritet t’i japin vrull të mëtejshëm tregut të automjeteve elektrike.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com