Inspektorati i Komunës së Prishtinës i ka shqiptuar gjobë 500 euro një qytetari të kapur në flagrancë duke hedhur mbeturina në mënyrë të paligjshme në një hapësirë publike në kryeqytet.
Sipas njoftimit të Komunës së Prishtinës, rasti ka ndodhur më 20.05.2026 në orët e vona të natës, derisa ekipet inspektuese po realizonin kontrolle në terren.
Komuna ka bërë të ditur se ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike po vazhdojnë çdo ditë aksionet për largimin e mbeturinave vëllimore në lagje të ndryshme të kryeqytetit, megjithatë ende ka qytetarë që hedhin mbeturina në vende joadekuate.
“Pavarësisht angazhimit të vazhdueshëm në terren, ende ka qytetarë të pandërgjegjshëm që dëmtojnë hapësirat publike dhe mjedisin”- thuhet në njoftimin e Komunës.
Autoritetet komunale kanë paralajmëruar se kontrollet dhe inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se të gjithë shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese.
Aksioni për largimin e mbeturinave vëllimore ka nisur zyrtarisht të shtunën (16.05.2026) nga Komuna e Prishtinës, në një periudhë kur kryeqyteti është përballur me probleme të theksuara në menaxhimin e mbeturinave.
/kallxo.com



