Home / Lajme / Kosova / Bajrami: “Qeveria Kurti ka vendosur rekorde negative në sektorin e energjisë”

Bajrami: “Qeveria Kurti ka vendosur rekorde negative në sektorin e energjisë”

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar ashpër menaxhimin e sektorit të energjisë nga Qeveria Kurti, duke thënë se gjatë mandatit të tyre janë vendosur “rekorde negative” që rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset kosovare.

Në një reagim për publikun, Bajrami theksoi se nën qeverisjen aktuale çmimi i energjisë për mbi një mijë biznese është rritur deri në 300 për qind, ndërsa qytetarët paguajnë deri në 800 euro për transportin e një megavat ore energji elektrike. Sipas saj, sektori i energjisë është bërë një fushë e favorizuar për persona të afërt me Kryeministrin, ku disa prej tyre tani ndodhen në hetime të Prokurorisë.

“Qeveria Kurti do të mbahet mend për keqmenaxhim dhe korrupsion galopant në sektorin e energjisë,” tha Bajrami, duke shtuar se rritja e çmimeve ka ndikuar në inflacionin kumulativ prej afërsisht 20 për qind dhe ka rritur shportën bazë të konsumit mbi 60 për qind.

Ajo kritikoi gjithashtu subvencionet për ndërmarrjet private, të cilat sipas saj kanë qenë të pamjaftueshme dhe nuk kanë sjellë reforma të rëndësishme fiskale apo përmirësim të ambientit të biznesit. “Përveç rritjes së çmimeve, problemi kryesor mbetet mungesa e punëtorëve dhe ikja e forcës punëtore,” tha Bajrami.

Reagimi i saj përqendrohet në pasojat konkrete që qytetarët dhe bizneset po përballen për shkak të menaxhimit të dobët të energjisë, duke e cilësuar si një nga sektorët më të problematikë gjatë këtij mandati qeverisës.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com