Home / Lajme / Ndërkombëtare / Kriza e naftës në Gjermani, thirret Këshilli i Sigurisë

Kriza e naftës në Gjermani, thirret Këshilli i Sigurisë

“Situata është e tensionuar, duhet të jemi gati të ndërhyjmë”

Situata e furnizimit me karburant në Gjermani është bërë aq delikate dhe strategjike, sa që kancelari Friedrich Merz ka paralajmëruar thirrjen “së shpejti” të Këshillit Kombëtar të Sigurisë për konsultime mbi krizën energjetike. Ai e ka bërë të ditur vetë këtë vendim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Qëllimi ynë është i qartë, ekonomia gjermane dhe qytetarët duhet të kenë siguri se furnizimi me produkte thelbësore, si nafta, benzina dhe karburanti për avionë, do të mbetet i garantuar”, deklaroi Merz të dielën e kaluar në Hanover.

Sipas tij, aktualisht situata është “e tensionuar”, por furnizimi është ende i siguruar.

“Nëse situata përkeqësohet, ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë.”

Këshilli Kombëtar i Sigurisë është një organ i ri, i krijuar nga Merz pas marrjes së detyrës, dhe merret vetëm me kërcënimet më serioze ndaj vendit ose me krizat sistemike. Deri më tani është thirrur vetëm një herë, në nëntor, për të miratuar një plan veprimi kundër kërcënimeve hibride, kryesisht nga Rusia.

“Për ne është e qartë: siguria e furnizimeve ka prioritet maksimal për Gjermaninë”, tha Merz, duke theksuar se për të garantuar stabilitetin do të përdoren “të gjitha mjetet në dispozicion”.

Çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm në Gjermani, si edhe në vende të tjera, duke detyruar qeverinë të reagojë. Aktualisht, çmimet mund të rriten vetëm një herë në ditë, por po diskutohet ulja e taksave mbi karburantet, dhe qeveria duket e prirur ta realizojë këtë së shpejti. Në kufirin me Poloninë janë krijuar radhë, pasi gjermanët shkojnë të furnizohen atje ku çmimet janë pak më të ulëta.

Situata është e ndërlikuar edhe në aeroporte. Lufthansa ka njoftuar se është gati të pezullojë fluturimet “Cityliner” mes qyteteve, për të cilat ekziston alternativa e trenit, duke ruajtur karburantin për linjat kryesore.

Më shqetësuese është fakti se Gjermania ka kuptuar se nuk ka një plan të përditësuar për rezervat e karburantit, as një strategji të qartë për raste të tilla emergjente. Për këtë arsye, paralelisht me thirrjen e Këshillit të Sigurisë, i cili do ta trajtojë çështjen si emergjencë kombëtare, pritet një bashkëpunim i ngushtë me landet federale, të cilat kanë kompetenca të gjera.

Kryeministrat e landeve të udhëhequra nga SPD i kanë dërguar gjithashtu një letër Merz-it, duke kërkuar një konferencë të jashtëzakonshme me qeverinë federale. Ata theksojnë se, për shkak të rritjes së çmimeve dhe rrezikut të mungesave edhe për produkte të tjera, janë të domosdoshme konsultime urgjente mbi çështjet themelore të sigurisë energjetike dhe çmimeve, duke iu referuar edhe përvojës së koordinimit gjatë pandemisë së Covid-it.

Shqetësimi për karburantin është kthyer në një nga problemet kryesore të qeverisë. Sipas një sondazhi të YouGov, 58% e qytetarëve në Gjermani janë të shqetësuar, të paktën pjesërisht, për mungesën e mundshme të karburantit për avionë: 17% janë shumë të shqetësuar, 41% mesatarisht, ndërsa vetëm 32% ndihen të qetë.

/tvklan.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com