Home / Lajme / Mjedisi / Përmbyllet projekti 10-vjeçar i JICA për forcimin e kontrollit të ndotjes së ajrit në Kosova

Përmbyllet projekti 10-vjeçar i JICA për forcimin e kontrollit të ndotjes së ajrit në Kosova

Sot është mbajtur takimi përmbyllës i Komitetit të Përbashkët Koordinues të Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve të Kontrollit të Ndotjes së Ajrit në Kosovë, duke shënuar edhe përfundimin zyrtar të aktiviteteve të tij.

Projekti, i realizuar në dy faza dhe me një kohëzgjatje rreth 10 vite, ka pasur për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale për monitorimin dhe kontrollin e ndotjes së ajrit në vend.

Në fjalën e tij hapëse, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bajram Kafexholli, falënderoi JICA dhe ekipin implementues për mbështetjen dhe realizimin me sukses të aktiviteteve të projektit, njofton Energy Monitor.

Përfaqësuesit e JICA, përfshirë Chigiru Yamashita dhe Dr. Hiroaki Takiguchi, vlerësuan lart përkushtimin e institucioneve kosovare në zbatimin e projektit dhe arritjen e rezultateve të synuara.

Gjatë takimit u prezantuan gjetjet kryesore të raportit përfundimtar, si dhe rekomandimet për hapat e ardhshëm, me fokus në masat konkrete për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në sfidat e mbetura dhe mundësitë për vazhdim të bashkëpunimit në projekte të ardhshme në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të ajrit.

Në këtë proces morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme, përfshirë ministritë relevante, Korporata Energjetike e Kosovës, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës, duke reflektuar një qasje të gjerë ndërinstitucionale ndaj çështjes së cilësisë së ajrit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com