Në Kuvendin e Kosovës nuk ka arritur të shqyrtohet me shmangie nga afatet procedurale projektligji për Energjinë Elektrike. Për shqyrtimin e tij me shmangie votuan 63 deputetë, ndërkaq 45 ishin kundër, duke pamundësuar kështu që i njëjti të trajtohet në Kuvend.
Propozimi i LVV-së qysh në nisje nxiti reagimet e opozitarëve.
Ferat Shala i PDK-së tha se Ligji për Energjinë Elektrike bie ndesh me disa direktiva të BE-së. Janina Ymeri e LDK-së në këtë dokument ligjor ka nene e përmbajtje, që, sipas saj, jo vetëm ndikojnë në sigurinë energjetike, por edhe në sigurinë kombëtare, ndërkohë, Besnik Tahiri i AAK-së kërkoi që vetëvendosje më të mos i përcjellë Kuvendit kërkesë për shmangie për asnjë projektligj.
Ministrja, Artane Rizvanolli, tha se po i humbin shtetit 9 milionë euro e po i pamundësohet reforma.
“Flisni për integrimin e energjisë, mirëpo nuk lejoni pakon e ligjeve që na mundëson integrimin në tregun rajonal e t’i heqim tregtarët për të cilët po flisni. Si do që të jetë, qëndrimi juaj është i juaji”, tha ajo.
Deklarata e ministres, nxiti replika te opozitarët. Ferat Shala tha se do të ishte i lumtur nëse këto ligje nuk miratohen sot.
“Sepse Kuvendi i Kosovës do të shpëtojë qindra milionë euro transaksione të parregullta me tenderë njëburimorë në sektorin e energjisë”, tha ai.
Hykmete Bajrami e LDK-së tha se me LVV i ka 66 vota në Kuvend e sikur, sipas saj, pati anë pushtet të bënte p[unin me kohë asnjëherë nuk do t’i duheshin votat e opozitës.
“ Ju nuk keni qenë në LVV kur kanë qenë në opozitë, por unë ju kujtoj që kur është votuar Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, bashkëpartiakët tuaj atë kohë e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, e ne vetëm sa votuam disa shmangie e disa marrëveshje ndërkombëtare. Ju jeni ata që keni bërë që kjo legjislaturë të quhet legjislatura e shmangies”, tha Bajrami.
“Është e vërtetë që nuk kam qenë në LVV aso kohe , por e di që i vetmi rast kur nuk ka votuar, ka qenë ai rast dhe ka pasur të bëjë me fusnotën dhe jo me diçka tjetër, prandaj kur i thoni informatat ju lutem i thoni deri në fund”, ishte kundërpërgjigjja e Rizvanollit.
Po ashtu, nuk arriti që me shmangie nga procedurat të shqyrtohej as Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Për të shqyrtuar të njëjtin votuan 65 deputetë derisa 44 ishin kundër.
/rtklive.com



