Home / Lajme / Kosova / Ejupi: Tarifat janë pasojë e një sistemi joefikas energjetik në Kosovë

Ejupi: Tarifat janë pasojë e një sistemi joefikas energjetik në Kosovë

Debati për rritjen e tarifave të energjisë në Kosovë po trajtohet shpesh në mënyrë të ngushtë, duke u fokusuar vetëm te çmimi, ndërsa problemi real qëndron më thellë në mënyrën si është ndërtuar dhe funksionon sistemi energjetik. Kështu vlerëson Burim Ejupi në një analizë të publikuar së fundmi në Ekonomia Online.

Sipas tij, tarifat nuk janë shkaku kryesor i problemit, por “fundi i rrugës”, një instrument që përdoret për të mbuluar kostot e një sistemi që nuk prodhon dhe nuk menaxhohet në mënyrë optimale.

“Nëse sistemi nuk prodhon mjaftueshëm energji, nëse investimet në burime të ripërtëritshme zvarriten dhe nëse nuk menaxhohen si duhet kulmet sezonale të konsumit, atëherë tarifa bëhet instrumenti i fundit për të mbuluar kostot”, thekson Ejupi.

Ai vë në pah se Kosova vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentrale me qymyr, ndërsa në periudha me kërkesë të lartë, sidomos gjatë dimrit, importet bëhen të domosdoshme dhe shpesh shumë më të shtrenjta. Sipas tij, kjo krijon një presion të vazhdueshëm mbi sistemin dhe reflektohet drejtpërdrejt në tarifa, përcjell Energy Monitor.

Të dhënat tregojnë se kërkesa për energji gjatë muajve të verës sillet rreth 700–720 MW, ndërsa në dimër ajo arrin mbi 1,400 MW, duke e bërë menaxhimin e sistemit më kompleks dhe më të kushtueshëm.

Ejupi kritikon edhe strukturën aktuale tarifore me dy blloqe, duke vlerësuar se ajo nuk reflekton realitetin e konsumit në Kosovë. Sipas tij, një sistem më i fragmentuar do të ishte më i drejtë, duke shpërblyer konsumatorët që kanë konsum të qëndrueshëm dhe duke adresuar më mirë kostot që krijohen nga rritjet e papritura të konsumit.

Megjithatë, ai thekson se edhe reforma tarifore nuk është e mjaftueshme nëse nuk adresohen problemet strukturore të sektorit. Vonesat në zhvillimin e projekteve, si ngrohtoret, burimet e ripërtëritshme apo dokumentet strategjike, po e ngadalësojnë tranzicionin energjetik dhe po rrisin varësinë nga importi.

“Çdo vit vonesë përkthehet në më shumë importe, më shumë presion mbi sistemin dhe përfundimisht në më shumë tarifa”, paralajmëron ai.

Në përfundim, Ejupi thekson se për të pasur tarifa më të qëndrueshme dhe më të drejta, Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin e një sistemi energjetik më efikas, me më shumë prodhim vendor, integrim më të shpejtë të energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhim më të mirë të konsumit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com