“Kontinenti mban 60 për qind të potencialit më të mirë diellor në botë dhe merr 2 për qind të investimeve globale në energji të pastër”, tha Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje sot për reforma urgjente në sistemet financiare globale dhe për drejtësi më të madhe klimatike për Afrikën, duke paralajmëruar se kontinenti mbetet i prekur në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike, pavarësisht se kontribuon pak në emetimet globale, transmeton Anadolu.
Duke folur në Samitin “Africa Përpara”, në Nairobi, të bashkëorganizuar nga Kenia dhe Franca, Guterres tha se paqëndrueshmëria ekonomike globale, paqëndrueshmëria e karburanteve fosile dhe flukset e pabarabarta të investimeve po rrisnin presionin mbi ekonomitë afrikane.
Më shumë se 30 udhëheqës afrikanë dhe evropianë morën pjesë në samitin e përqendruar në tregti, klimë, industrializim dhe partneritete investimi. “Trazirat globale të energjisë të sotme, tregjet e paqëndrueshme të karburanteve fosile dhe tregtia e fragmentuar po thellojnë stresin fiskal, inflacionin dhe zhvillimin e penguar në të gjithë kontinentin”, tha Guterres.
Ai tha se Afrika ka potencial të madh të energjisë së rinovueshme, por merr vetëm një pjesë të vogël të financimit global. “Kontinenti mban 60 për qind të potencialit më të mirë diellor në botë dhe merr 2 për qind të investimeve globale në energji të pastër”, tha Guterres.
“Me financimin e duhur, Afrika mund të gjenerojë 10 herë më shumë energji elektrike sesa i nevojitet deri në vitin 2040, tërësisht nga burimet e rinovueshme”, shtoi ai. Guterres kërkoi reforma në sistemin financiar ndërkombëtar për të ulur kostot e huamarrjes, për të zgjeruar financimin e klimës dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë kontinentin.
Presidenti i Kenias, William Ruto bëri thirrje për përfaqësim më të fortë afrikan në qeverisjen globale dhe vendimmarrjen ndërkombëtare. “Ka ardhur koha që komunitetit ndërkombëtar të pranojë se Afrika nuk mund të mbetet subjekt i vendimeve të marra pa qenë në tryezë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Ruto.
Ai shtoi se partneritetet me Afrikën duhet të bazohen në barazi dhe jo në varësi. “Ne e organizuam këtë samit, të bazuar në bindjen tonë të përbashkët se partneritetet e qëndrueshme nuk duhet të ndërtohen mbi varësinë, por mbi barazinë sovrane. Jo mbi ndihmën ose bamirësinë, por mbi investimet reciprokisht të dobishme”, tha ai.
Kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan, Mahmoud Ali Youssouf bëri thirrje për partneritete më të drejta ndërkombëtare dhe bashkëpunim shumëpalësh më të fortë në përputhje me prioritetet e zhvillimit të Afrikës.
Samiti “Afrika Përpara” në Nairobi ka mbledhur së bashku krerët e shteteve, investitorët, diplomatët dhe udhëheqësit e biznesit për të diskutuar energjinë, infrastrukturën, prodhimin, transformimin dixhital dhe financimin e klimës në të gjithë kontinentin.
/aa.com.tr



