Mimoza Kusari-Lila, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka vizituar kompaninë Electro Plus në Zubin Potok, ku u takua me pronaren Ferdane Shkreli Terllabuqi dhe drejtorin Hetem Terllabuqi.
Electro Plus është kompania e parë dhe e vetme shqiptare në komunën e Zubin Potokut që merret me prodhimin e transformatorëve elektrikë, si dhe me testimin dhe certifikimin e tyre përmes teknologjive të avancuara.
Gjatë vizitës u bë e ditur se kompania aktualisht punëson 15 persona, ndërsa me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese synon ta rrisë numrin e të punësuarve në 50 deri në fund të këtij viti.
Sipas ministres Kusari-Lila, shumica e punonjësve janë banorë të Zubin Potokut, çka kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në zhvillimin ekonomik lokal. Ajo theksoi se interes për punësim në kompani kanë shprehur edhe qytetarë nga komuniteti serb, transmeton Energy Monitor.
Ministrja përgëzoi drejtuesit e kompanisë për angazhimin e tyre në zhvillimin e biznesit dhe për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë në veri të Kosovës.
Ajo vlerësoi se iniciativa të tilla përfaqësojnë një shembull konkret të potencialit industrial të vendit dhe të rolit që sektori privat mund të luajë në forcimin e ekonomisë dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve.



