Home / Lajme / Kosova / Papailiou: Kosova ka bërë progres në sektorin energjetik

Papailiou: Kosova ka bërë progres në sektorin energjetik

Në Prishtinë janë mbledhur ekspertë dhe përfaqësues të sektorit energjetik nga 17 vende të Evropës Juglindore për të diskutuar zhvillimet më të fundit në energji.

Pjesë e takimit ishte edhe drejtori i Këshillit Ndërkombëtar për Rrjetet e Mëdha Elektroenergjetik, Konstantin Papailiou.

Në një intervistë dhënë RTK-së, Papailiou tha se Kosova ka bërë progres në sektorin energjetik, por sipas tij, ka ende punë në modernizimin e infrastrukturës dhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit.

“Mendoj se Kosova, duke qenë një shtet relativisht i ri, ka bërë progres të madh për të krijuar një sektor energjetik të organizuar mirë, megjithëse, si shumë vende të tjera, ka ende shumë punë për t’u bërë. Duhet të përmirësohet rrjeti i transmetimit, të ndërtohen kapacitete magazinimi, bateri, dhe të sigurohet që sistemi të funksionojë me energji të rinovueshme sa më shpejt”, ka thënë Papailiou.

Ai përmendi edhe sfidat aktuale në sektorin energjetik në vend. “Sfidë është ndërtimi i infrastrukturës së re dhe gjetja e njerëzve për ta bërë këtë, sepse në fakt sfidë edhe më e madhe sesa sigurimi i projekteve dhe pajisjeve është gjetja e njerëzve, veçanërisht të rinjve, që janë të interesuar në këtë mision për të shpëtuar planetin”, ka shtuar ai.

Sipas tij, stabiliteti politik është i rëndësishëm në tërheqjen e investimeve në këtë sektor.

“Të kesh një qeveri stabile dhe veçanërisht një qeveri që e kupton rëndësinë e tranzicionit energjetik është jashtëzakonisht e rëndësishme, së pari për investitorët, por edhe për komunitetin. Misioni ynë në mbarë botën është të sigurohemi që ky planet të dekarbonizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Dhe nga ajo që kuptoj, Kosova po bën hapa të mëdhenj”ka thënë tutje Papailiou.

Për rëndësinë e takimit mes vendeve të Evropës Juglindore foli edhe kryesuesja e organizatës CIGRE në Kosovë.

Gjatë ditës, drejtori i CIGRE u takua edhe me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com