Kosova synon anëtarësimin në ICOLD, planifikon pesë diga të reja të mëdha
September 24, 2026
Kosova synon të anëtarësohet në Komisionin Ndërkombëtar për Diga të Mëdha (ICOLD), ndërsa po planifikon ndërtimin e pesë digave të reja të mëdha, ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli Dalipi.
Pacolli e prezantoi këtë prioritet gjatë pjesëmarrjes në Simpoziumin e 13-të Evropian të ICOLD-it në Bydgoszcz të Polonisë, ku foli për sigurinë e ujit dhe zhvillimin e infrastrukturës ujore të Kosovës.
Sipas Pacollit, Kosova synon të krijojë një Komitet Kombëtar për Diga dhe të forcojë strukturën institucionale dhe ekspertizën vendore në këtë fushë.
Në kuadër të vizitës në Poloni, Pacolli dhe ambasadori i Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, zhvilluan takim me drejtuesit e ICOLD-it, përfshirë presidentin Devendra Kumar Sharma, sekretarin e përgjithshëm Frédéric Corrège dhe presidentin e EURCOLD-it, Arjan Jovani, përcjell Energy Monitor.
Në takim u diskutua rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në organizatë, përfshirë krijimin e strukturave kombëtare dhe përfshirjen e ekspertëve kosovarë.
ICOLD është organizatë ndërkombëtare që bashkon ekspertë dhe institucione të fushës së digave dhe rezervuarëve, me fokus në sigurinë, projektimin, ndërtimin dhe menaxhimin e tyre.
Sipas deklarimeve të ministres, lidhja me ICOLD-in synon t’i mundësojë Kosovës qasje në ekspertizë, standarde dhe praktika ndërkombëtare për sigurinë e digave dhe zhvillimin e infrastrukturës ujore.
Kosova po shqyrton projekte të reja për infrastrukturën e ujit në një kohë kur menaxhimi i rezervave ujore dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja hidroenergjetike mbeten pjesë e planeve për sektorin energjetik.
Anëtarësimi në ICOLD do të kërkonte krijimin e strukturave përkatëse kombëtare dhe angazhimin e ekspertëve vendorë në aktivitetet e organizatës.