KEDS ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në promovimin e praktikave të qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit në të gjitha aspektet e punës së saj.
Në Ditën Botërore të Mjedisit, kompania ka theksuar se po reflekton mbi hapat konkretë të ndërmarrë deri më tani për të kontribuar në një të ardhme më të gjelbër.
Sipas KEDS, ndër aktivitetet e realizuara me ndikim pozitiv në mjedis përfshihen vendosja e komposterëve në nënstacione, me qëllim reduktimin e mbetjeve organike dhe promovimin e riciklimit natyror, përcjell Energy Monitor.
Po ashtu, kompania ka vendosur shtëpi për zogj si pjesë e përpjekjeve për ruajtjen dhe promovimin e biodiversitetit, si dhe ka inkurajuar përdorimin e biçikletave si alternativë e qëndrueshme transporti.
Në kuadër të aktiviteteve mjedisore, KEDS ka realizuar edhe mbjelljen e luleve dhe gjelbërimin e hapësirave përreth, me synim përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së jetës.
KEDS thekson se këto iniciativa përfaqësojnë angazhimin e kompanisë për të qenë një subjekt i përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe komunitetit.



