Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje pesëvjeçare ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, për projektin “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”, me një vlerë totale prej 8.78 milionë frangash zvicerane.
Marrëveshja është nënshkruar në bashkëpunim me Swiss Agency for Development and Cooperation (SDC) dhe me bashkëfinancim nga Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA), duke synuar mbështetjen e tranzicionit të gjelbër të sektorit privat në Kosovë gjatë periudhës 2026–2031.
Sipas njoftimit, projekti ka për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, përmes nxitjes së investimeve në teknologji më të pastra, përmirësimit të efikasitetit të burimeve dhe adoptimit të praktikave më të qëndrueshme të biznesit, përcjell Energy Monitor.
Në kuadër të marrëveshjes, do të promovohet gjithashtu zhvillimi i inovacionit, investimeve të gjelbra dhe krijimi i vendeve të punës gjithëpërfshirëse, me synim forcimin e rolit të sektorit privat në zhvillimin ekonomik të vendit dhe avancimin e ekonomisë së gjelbër në Kosovë.
Autoritetet kanë theksuar se transformimi i gjelbër i industrisë është në përputhje me prioritetet strategjike të institucioneve të vendit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.



