Kriza energjetike në Kubë është përkeqësuar javët e fundit, ndërsa autoritetet raportojnë se kapaciteti aktual i prodhimit të energjisë mbulon vetëm rreth një të tretën e nevojave ditore të vendit.
Në disa zona të Kubës janë regjistruar protesta të reja, në shenjë pakënaqësie ndaj ndërprerjeve të zgjatura të energjisë elektrike që po prekin vendin.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale dhe raportimeve të burimeve të afërta me opozitën, protestat kanë përfshirë edhe zona pranë qendrës së Havanës, jo larg ndërtesës së Kapitolit, ku në të njëjtën kohë po zhvillohej një mbledhje e posaçme e Partisë Komuniste për të diskutuar reforma të propozuara nga presidenti Miguel Díaz-Canel.
Në videot e shpërndara online shihen banorë që protestojnë në errësirë totale, duke goditur tenxhere dhe tiganë dhe duke kërkuar rikthimin e energjisë elektrike me thirrjet “Na jepni dritë!”. Në disa raste raportohet edhe djegia e koshave të mbeturinave.
Sipas dëshmive të publikuara në rrjet, forcat e rendit kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit. Tubime të ngjashme janë raportuar edhe në qytetin Santa Clara, një nga zonat më të populluara në qendër të ishullit.
Kriza energjetike në Kubë është përkeqësuar javët e fundit, ndërsa autoritetet raportojnë se kapaciteti aktual i prodhimit të energjisë mbulon vetëm rreth një të tretën e nevojave ditore të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, mungesat janë thelluar edhe për shkak të vështirësive në furnizimin me naftë për centralet elektrike.



