Kompania kroate Konçar ka fituar një kontratë me vlerë rreth 54 milionë euro në Maqedoninë e Veriut, për projekte që lidhen me modernizimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë elektrike në kuadër të operatorit të sistemit MEPSO, ka njoftuar SEE News.
Sipas të dhënave të publikuara nga SeeNews, kontrata përfshin rehabilitimin e nënstacionit 400 kV Skopje 4, si dhe një paketë punimesh për instalimin dhe modernizimin e sistemeve të mbrojtjes rele në disa hidrocentrale në vend.
Projekti në nënstacionin Skopje 4 përfshin përmirësimin e pajisjeve primare në nivelet 400 kV dhe 110 kV, instalimin e sistemeve të kontrollit dhe mbrojtjes sekondare, si dhe modernizimin e sistemit SCADA. Punimet përfshijnë projektimin, furnizimin, instalimin, testimin dhe vënien në funksion të pajisjeve të reja, transmeton Energy Monitor në Kosovë.
Pjesa tjetër e kontratës lidhet me furnizimin dhe instalimin e sistemeve të mbrojtjes rele në disa hidrocentrale, me qëllim rritjen e sigurisë operative dhe stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Maqedonisë së Veriut.
Financimi i projektit mbështetet nga një hua e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke nënvizuar vazhdimin e investimeve ndërkombëtare në modernizimin e infrastrukturës energjetike në vend.



