Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se debati për projektin e gazit amerikan nuk duhet parë vetëm si një çështje teknike, por si një vendim me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Në një reagim publik, Çitaku ka theksuar se pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore, duke argumentuar se energjia, zinxhirët e furnizimit dhe kontrolli mbi burimet strategjike janë bërë elemente kyçe të sigurisë në botën e sotme.
“Kur flasim për gazin amerikan, ne nuk flasim vetëm për energji. Ne flasim për siguri. Për ekonomi. Për diplomaci. Për partneritet strategjik. Për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke pretenduar se kjo parti ka kundërshtuar për vite me radhë projekte që, sipas saj, do t’i siguronin Kosovës më shumë pavarësi energjetike, fillimisht si opozitë dhe më pas në qeverisje.
Sipas saj, si pasojë e këtyre politikave, Kosova po përballet me rritje të importeve të energjisë, çmime më të larta të energjisë elektrike dhe ka mbetur jashtë projekteve të reja energjetike që po zhvillohen në rajon.
Në fund të reagimit, Çitaku ka bërë thirrje që Kosova të bëhet pjesë e projekteve strategjike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët perëndimorë.
“Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete. Koha e izolimit duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë pjesë e projekteve strategjike të Perëndimit, jo spektatore e tyre”, ka deklaruar Çitaku.



