Organizatat EcoZ dhe CEE Bankwatch Network i janë drejtuar me një letër të përbashkët Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke theksuar se zhvillimi i sektorit energjetik të vendit duhet të mbështetet në burime të ripërtëritshme të energjisë, efiçiencë të energjisë dhe siguri afatgjatë të furnizimit.
Në letrën e publikuar nga EcoZ, organizatat shprehin mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë sektorit energjetik të Kosovës ndër vite, ndërsa nënvizojnë se vendimet strategjike duhet të bazohen në analiza transparente, dëshmi shkencore dhe interesin publik.
Sipas tyre, zhvillimi i mëtejshëm i sektorit energjetik duhet të jetë në përputhje me dokumentet strategjike të Kosovës, përfshirë Strategjinë e Energjisë, Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë (NECP), Ligjin për Ndryshimet Klimatike dhe angazhimet për dekarbonizimin e ekonomisë.



Deklarata vjen në një periudhë kur debati për të ardhmen energjetike të Kosovës është intensifikuar, veçanërisht pas diskutimeve rreth projekteve të mundshme të gazit natyror dhe rolit të tyre në tranzicionin energjetik të vendit.
EcoZ dhe CEE Bankwatch Network theksojnë se politikat energjetike duhet të orientohen drejt zgjidhjeve që sigurojnë qëndrueshmëri afatgjatë, duke u mbështetur në zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë.



