Home / Lajme / Kosova / Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

Gazi amerikan, OEAK: Zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike vendore duhet të jetë prioritet kombëtar

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një komunikate për media thekson se po përcjellë me vëmendje deklaratat e fundit publike të anëtarëve të Kabinetit të Qeverisë në detyrë lidhur me orientimin e politikës energjetike të vendit.

Oda Amerikane shpreh besimin se prioritetet e paraqitura nuk adresojnë në mënyrë të duhur nevojën e Kosovës për të rritur kapacitetet vendore të prodhimit të energjisë elektrike, zvogëlimin e varësisë nga importet e rrjedhimisht fuqizimin e sigurisë së furnizimit.

“Çështja thelbësore nuk është nëse Kosova mund të importojë energji elektrike të prodhuar në vendet fqinje. Pyetja strategjike është nëse Kosova duhet të vazhdojë të mbështetet në importin e energjisë elektrike si produkt i gatshëm, apo të investojë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese brenda vendit, të cilat forcojnë sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë strategjike të saj”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i kapaciteteve të reja vendore duhet të jetë prioritet kombëtar.

Tutje thuhet se është argumentuar se importimi i energjisë elektrike përmes infrastrukturës ekzistuese transmetuese është zgjidhje më praktike dhe më pak e kushtueshme sesa ndërtimi i infrastrukturës së gazit në Kosovë.

Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike

“Megjithatë, vlerësimi i kësaj çështjeje vetëm mbi bazën e kostos fillestare të infrastrukturës nuk pasqyron përfitimet afatgjata që sjell ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese brenda vendit.

Çdo megavat i ri i prodhuar në Kosovë rrit sigurinë e furnizimit, zvogëlon varësinë nga tregjet rajonale të energjisë elektrike dhe krijon stabilitet më të madh për ekonominë dhe qytetarët. Vazhdimi i mbështetjes kryesisht në importin e energjisë elektrike e ekspozon Kosovën ndaj luhatjeve të çmimeve dhe rreziqeve të furnizimit, të cilat nuk varen nga vendimmarrja e saj. Kriza energjetike evropiane pas agresionit rus në Ukrainë dëshmoi qartë se shtetet që dispononin kapacitete të mjaftueshme prodhuese vendore ishin shumë më të mbrojtura nga goditjet e tregut”, thuhet në komunikatë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com