Kosova ka hapur zyrtarisht aktivitetet e Këshillit Informal Ministror 2026 të Komunitetit të Energjisë, duke mirëpritur në Prishtinë delegacionet nga vendet anëtare, Komisioni Evropian, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe partnerë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë. Mbrëmja kulturore e organizuar nga Ministria e Ekonomisë në Fshatin Etno-Kulturor Kukaj shënoi nisjen e ngjarjeve, ndërsa takimi ministror mbahet më 2 korrik në kryeqytet.
Në kuadër të kryesimit të Komunitetit të Energjisë për vitin 2026, Ministria e Ekonomisë organizoi një mbrëmje mirëseardhjeje për delegacionet pjesëmarrëse, duke promovuar kulturën, traditën dhe mikpritjen e Kosovës.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Komisionit Evropian, delegacione nga vendet anëtare të organizatës, ambasadorë të akredituar në Kosovë, si dhe partnerë ndërkombëtarë dhe vendorë të sektorit të energjisë, njofton Energy Monitor.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se për Kosovën është një nder dhe një përgjegjësi të kryesojë Komunitetin e Energjisë gjatë këtij viti.
“Sonte jemi në Kosovë sepse sivjet kemi nderin dhe përgjegjësinë e kryesimit të Komunitetit të Energjisë. Muzeu, shfaqja artistike, muzika, ekspozita dhe mikpritja që pamë sonte në Kukaj na dhanë një përjetim autentik të traditës, historisë dhe vlerave të popullit tonë, për të cilat jemi krenarë”, u shpreh Rizvanolli.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, mbrëmja kishte për qëllim t’u ofronte mysafirëve një përvojë autentike të kulturës kosovare, duke krijuar një hapësirë për dialog joformal, rrjetëzim dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe akterëve të sektorit energjetik.
Takimi Informal Ministror i Komunitetit të Energjisë, që zhvillohet të enjten në Prishtinë, pritet të mbledhë ministrat përgjegjës për energjinë nga vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, përcjell Energy Monitor.
Diskutimet pritet të fokusohen në përshpejtimin e tranzicionit energjetik, integrimin e tregjeve rajonale të energjisë, sigurinë e furnizimit, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe zbatimin e reformave që burojnë nga legjislacioni i Bashkimit Evropian.
Kryesimi i Kosovës me Komunitetin e Energjisë gjatë vitit 2026 konsiderohet një mundësi për të promovuar prioritetet e vendit në sektorin energjetik dhe për të thelluar bashkëpunimin rajonal në një periudhë kur siguria energjetike dhe tranzicioni i gjelbër mbeten ndër temat kryesore të agjendës evropiane.



