Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ankandi për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së erës përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e vizionit të Kosovës për rritjen e prodhimit vendor nga burimet e ripërtëritshme dhe përmbushjen e zotimeve ndaj Bashkimit Evropian.
Ministria e Ekonomisë ka organizuar konferencën zyrtare para-dorëzimit të ofertave për “Kosovo Wind Tender”, një proces përmes të cilit pritet të shtohen deri në 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga era në sistemin energjetik të Kosovës.
Sipas Ministrisë, ankandi i erës shënon një nga hapat më të rëndësishëm në diversifikimin e burimeve energjetike dhe në tërheqjen e investimeve të reja në sektorin e energjisë së pastër, përcjell Energy Monitor.
Duke folur në konferencë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme është i domosdoshëm si për sigurinë energjetike të vendit, ashtu edhe për përmbushjen e obligimeve që Kosova ka marrë në kuadër të integrimit evropian.
“Janë të domosdoshme burimet e ripërtëritshme të energjisë, që të jemi në përputhje me zotimet që i kemi dhënë drejt BE-së. Qasja e Kosovës në vitet e fundit ka qenë e qartë: po shtojmë prodhim vendor nga burimet e ripërtëritshme dhe po sigurohemi që çdo investim i ri të jetë afatgjatë”, tha Rizvanolli.
Ajo shtoi se ankandi i energjisë së erës i shërben drejtpërdrejt këtij vizioni, duke mundësuar shtimin e kapaciteteve të reja dhe avancimin e projekteve të përzgjedhura pas fazës së kualifikimit.
Sipas saj, tre ofertues të parakualifikuar tashmë janë ftuar të përgatisin ofertat e tyre teknike dhe financiare në kuadër të fazës përfundimtare të procesit, njofton Energy Monitor..
Në të njëjtën konferencë, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, e cilësoi ankandin si një moment të rëndësishëm në transformimin e sektorit energjetik dhe forcimin e sigurisë së furnizimit.
Ai theksoi se Kosova po kalon një periudhë të thellë transformimi energjetik, ku dekarbonizimi, rritja e kërkesës dhe integrimi në tregjet evropiane kërkojnë politika dhe vendime që nxisin investime të qëndrueshme.
Ndërkohë, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, bëri të ditur se operatori i sistemit ka siguruar kapacitetet e nevojshme të kyçjes në rrjet për të gjithë pjesëmarrësit në ankand, duke garantuar një proces të barabartë dhe të sigurt për investitorët.
Ankandi për energjinë e erës vjen si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për të rritur peshën e burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik dhe për të forcuar stabilitetin afatgjatë të sistemit elektroenergjetik.



