Ish-deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka vlerësuar se moszhvillimi i projektit të gazit natyror dhe moslidhja e Kosovës me rrjetin rajonal të gazit mund t’i kushtojnë vendit qindra miliona euro, duke e mbajtur ekonominë të varur nga linjiti dhe importet e shtrenjta të energjisë elektrike.
Duke iu referuar një studimi të financuar nga institucionet amerikane dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), Shala tha për GazetaBlic se investimi në infrastrukturën e gazit natyror mund t’i sjellë Kosovës përfitime neto deri në 600 milionë euro, me një normë kthimi ekonomik rreth 27%.
“Moszhvillimi i projektit të gazit natyror dhe moslidhja e Kosovës me rrjetin rajonal të gazit mund t’i kushtojnë vendit qindra miliona euro, duke e mbajtur ekonominë të varur nga linjiti dhe nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike. Sipas studimit të financuar nga institucionet amerikane dhe Millennium Challenge Corporation (MCC), investimi në infrastrukturën e gazit natyror mund t’i sjellë Kosovës përfitime neto deri në 600 milionë euro, me një normë kthimi ekonomike prej rreth 27%”, tha Shala.
Ai renditi si përfitime kryesore diversifikimin e burimeve të energjisë dhe uljen e varësisë nga linjiti, reduktimin e importeve të shtrenjta të energjisë elektrike, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe shëndetit publik, rritjen e sigurisë energjetike si dhe integrimin e Kosovës në tregun rajonal të gazit, duke theksuar edhe forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe harmonizimin me politikat e Bashkimit Evropian.
Shala theksoi se gazi natyror duhet të shihet si zgjidhje tranzitore dhe jo përfundimtare, e cila duhet të zhvillohet paralelisht me investimet në energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën energjetike dhe modernizimin e sistemit elektroenergjetik.
“Në fund, pyetja thelbësore mbetet: A mund ta përballojë Kosova koston ekonomike, strategjike dhe zhvillimore të mosveprimit?”, u shpreh ai për GazetaBlic.



