Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Komuna e Prishtinës kanë diskutuar mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e efiçiencës së energjisë dhe realizimin e projekteve të reja për përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave.
Në takim ndërmjet drejtoreshës menaxhuese të FKEE-së, Njomza Hoxha, Departamentit të Operacioneve të këtij institucioni dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u theksua potenciali i madh i kryeqytetit për investime në këtë sektor, duke marrë parasysh numrin e madh të ndërtesave publike dhe rezidenciale.
FKEE prezantoi projektet e reja që pritet të fillojnë së shpejti në partneritet me donatorët ndërkombëtarë dhe Qeverinë e Kosovës. Këto iniciativa synojnë të mbështesin komunat në zbatimin e masave për efiçiencë të energjisë, uljen e konsumit dhe krijimin e ndërtesave publike më të qëndrueshme, transmeton Energy Monitor.
Investimet në efiçiencën e energjisë konsiderohen një nga shtyllat kryesore të tranzicionit energjetik, pasi ndihmojnë në reduktimin e kërkesës për energji, uljen e kostove për institucionet dhe qytetarët, si dhe në zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë.
Bashkëpunimi ndërmjet FKEE-së dhe komunave pritet të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave publike në Kosovë dhe në përmbushjen e objektivave kombëtare për kursimin e energjisë.



