Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur një proces të gjerë reformash të fokusuar në identifikimin, mbrojtjen dhe konsolidimin e pronave të saj, si dhe në trajtimin e rasteve të uzurpimit të aseteve të Korporatës.
Sipas njoftimit të KEK-ut, një nga hapat e parë të këtij procesi – unifikimi i evidencave të pronave – tashmë është përfunduar me sukses.
Përveç pronave në komunat e Obiliqit dhe Fushë-Kosovës, ku KEK zhvillon aktivitetin e saj kryesor, Korporata ka identifikuar prona edhe në komuna të tjera, përfshirë Podujevën dhe Brezovicën.
Në kuadër të reformës, KEK ka intensifikuar bashkëpunimin me komunat dhe institucionet kompetente për identifikimin e rasteve të uzurpimit, mbrojtjen e pronës publike dhe rikthimin e pronave në administrim të rregullt institucional.
Korporata u ka bërë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që shfrytëzojnë prona të saj pa bazë ligjore të ndërmarrin hapat e nevojshëm për lirimin vullnetar të tyre.
KEK thekson se ky proces po zhvillohet paralelisht me programin më të madh investiv në historinë e ndërmarrjes. Programi përfshin modernizimin e njësive gjeneruese pas më shumë se katër dekadash funksionimi, si dhe zhvillimin e projekteve në fushën e energjisë së ripërtëritshme.
Sipas Korporatës, reformat synojnë forcimin e menaxhimit institucional, mbrojtjen e aseteve publike dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në sektorin energjetik.



