Megjithëse Shqipëria nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e ekonomive të mëdha evropiane, ajo renditet ndër vendet me pasojat më të rënda shëndetësore nga ndotja e ajrit. Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 121 vdekje për 100 mijë banorë.
Me 129 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, vendi është i katërti në Evropë për vdekshmërinë që i atribuohet ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5, sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023.
Nivele më të larta se Shqipëria regjistrohen vetëm në Maqedoninë e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë-Hercegovinë, me 139, dhe Serbia, me 132.
Treguesi i Shqipërisë është më shumë se tri herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.
Çfarë mat treguesi
Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, të njohura si PM2.5.
Këto grimca kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të përmasave shumë të vogla, ato mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe të shkaktojnë inflamacion ose përkeqësim të gjendjes së personave që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.
Vdekjet e parakohshme janë ato që ndodhin përpara moshës së pritshme të vdekjes, e llogaritur sipas jetëgjatësisë në secilin vend, gjinisë dhe grupmoshës. Vlerësimet mbështeten në metodologjinë e Agjencisë Evropiane të Mjedisit.
PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale dhe transporti.
Ekspozimi nuk lidhet vetëm me praninë e industrisë së rëndë, por edhe me mënyrën e ngrohjes, cilësinë e karburanteve, moshën e automjeteve, djegien e mbetjeve dhe kushtet gjeografike që pengojnë shpërndarjen e ndotjes.
Ballkani mban barrën më të rëndë
Të dhënat tregojnë një ndarje të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Evropës.
Pas Shqipërisë renditet Kosova, me 121 vdekje për 100 mijë banorë. Mali i Zi regjistron 89 vdekje, ndërsa Kroacia 75. Edhe vendet fqinje të Bashkimit Evropian paraqiten me nivele të larta: Bullgaria ka 104 vdekje për 100 mijë banorë, Greqia 98 dhe Rumania 74.
Në skajin tjetër të renditjes janë vendet nordike. Finlanda regjistron vetëm një vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër. Në Islandë treguesi është zero.
Shqipëria ka një normë rreth 129 herë më të lartë se Finlanda, mbi gjashtë herë më të lartë se Portugalia dhe pothuajse pesë herë më të lartë se Gjermania.
Pse Maqedonia e Veriut ka nivelin më të lartë
Maqedonia e Veriut kryeson renditjen evropiane me 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë.
Sipas OECD-së, përqendrimi mesatar vjetor i PM2.5 në këtë vend arriti në 22.3 mikrogramë për metër kub në vitin 2021, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor dhe më shumë se katër herë mbi udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Burimet kryesore të ndotjes janë djegia e linjitit për prodhimin e energjisë, industria, automjetet e vjetra dhe të kontrolluara në mënyrë të pamjaftueshme, djegia e mbetjeve në mjedis të hapur dhe ngrohja e banesave.
Banka Botërore vlerëson se ngrohja e banesave është një nga burimet më të rëndësishme të ndotjes në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gjatë dimrit. Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, sektori rezidencial gjeneron pothuajse gjysmën e emetimeve të PM2.5.
Pozita gjeografike e qyteteve, sidomos e Shkupit, përkeqëson situatën, pasi kushtet atmosferike dhe terreni favorizojnë grumbullimin e ndotësve pranë sipërfaqes.
BE ka përgjysmuar vdekjet, por diferencat mbeten të mëdha
Në Bashkimin Evropian, numri i vdekjeve të parakohshme që lidhen me PM2.5 ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.
Në vitin 2005, ndotja nga grimcat e imëta i atribuohej rreth 423,600 vdekjeve të parakohshme në BE. Numri ra në rreth 346,400 në vitin 2007, 286,600 në vitin 2018 dhe 182,400 në vitin 2023.
Pavarësisht përmirësimit në nivel evropian, hendeku mes vendeve mbetet i gjerë. Vendet e Evropës Juglindore dhe Lindore vazhdojnë të kenë një barrë shumë më të lartë shëndetësore se vendet nordike dhe ato të Evropës Perëndimore.
Objektivi për vitin 2030
Treguesi lidhet me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm SDG 11, që synon qytete dhe komunitete më të qëndrueshme, dhe konkretisht me uljen e ndikimit negativ mjedisor të qyteteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë cilësisë së ajrit.
Objektivi evropian është që deri në vitin 2030 të reduktohen me të paktën 55%, në krahasim me vitin 2005, ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit të shprehura përmes vdekjeve të parakohshme nga PM2.5.
Pragu i përcaktuar për BE-në është rreth 190,600 vdekje në vitin 2030. Me rreth 182,400 vdekje të regjistruara në vitin 2023, Bashkimi Evropian në tërësi ka zbritur tashmë nën nivelin e synuar, por situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. /Monitor



