Për herë të parë pas 44 vitesh funksionimi të pandërprerë, centrali bërthamor Paks në Hungari do të ndalojë plotësisht aktivitetin, pasi rënia rekord e nivelit të lumit Danub, e shkaktuar nga thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta, nuk lejon më ftohjen normale të reaktorëve. Paks siguron rreth 40% të prodhimit të energjisë elektrike në Hungari.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili deklaroi se ulja e mëtejshme e nivelit të Danubit i detyroi autoritetet të nxirrnin jashtë funksionit edhe njësinë e fundit nga dy reaktorët që vijonin të ishin aktivë.
“Prodhimi i centralit do të reduktohet në 240 megavat dhe më pas ai do të ndalojë plotësisht funksionimin, për herë të parë pas 44 vitesh”, shkroi Magyar në një postim në platformën X, pak para ndërprerjes së njësisë së fundit.
Centrali bërthamor Paks ndodhet rreth 100 kilometra në jug të Budapestit dhe është objekti më i rëndësishëm i prodhimit të energjisë elektrike në Hungari, duke mbuluar rreth 40% të nevojave vjetore të vendit për energji.
Katër reaktorët e tij, të ndërtuar me teknologji sovjetike, përdorin ujin e lumit Danub për sistemin e ftohjes. Megjithatë, rënia drastike e nivelit të lumit ka krijuar probleme serioze për funksionimin e centralit.
Kompania që administron centralin kishte paralajmëruar që të premten se, nëse niveli i Danubit do të vazhdonte të binte, pezullimi i plotë i aktivitetit do të ishte i pashmangshëm brenda pak ditësh. Qeveria hungareze kishte lënë të hapur edhe mundësinë që ndërprerja të ndodhte gjatë fundjavës.
Situata lidhet me kushtet ekstreme të motit që kanë përfshirë Europën që prej pranverës. Thatësira e zgjatur, e kombinuar me valët e njëpasnjëshme të të nxehtit, e ka çuar Danubin në nivele historikisht të ulëta në disa segmente të tij, duke ndikuar jo vetëm në lundrim, por tashmë edhe në infrastrukturat kritike energjetike.



