Home / Lajme / Kosova / Kurti në Ujman: Hidrocentrali 35 MW i Ibër Lepencit pritet të modernizohet, ndërmarrja ka dalë me fitim që nga viti 2022

Kurti në Ujman: Hidrocentrali 35 MW i Ibër Lepencit pritet të modernizohet, ndërmarrja ka dalë me fitim që nga viti 2022

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut, ku theksoi rëndësinë e ndërmarrjes publike “Ibër Lepenci” për furnizimin me ujë të industrisë, bujqësisë dhe amvisërisë, si dhe rolin e hidrocentralit në qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes.

Gjatë vizitës, Kurti tha se hidrocentrali i Ujmanit, i cili funksionon në kuadër të “Ibër Lepencit”, ka kapacitet të instaluar prej 35 MW, me dy turbina nga 17.5 MW secila. Sipas tij, hidrocentrali ka prodhuar 70 GWh energji elektrike gjatë vitit 2025, ndërsa në shtatë muajt e parë të vitit 2026 prodhimi ka arritur në 60 GWh.

Ai bëri të ditur se ndërmarrja ka regjistruar rezultate pozitive financiare që nga viti 2022, duke theksuar se në vitin 2025 “Ibër Lepenci” ka realizuar 12.8 milionë euro qarkullim, ndërsa fitimi neto pas zhvlerësimit ka qenë 1.76 milionë euro, njofton Energy Monitor.

Modernizimi i hidrocentralit të Ujmanit me mbështetje ndërkombëtare

Gjatë vizitës, Kurti bëri të ditur se janë duke u zhvilluar hapa për rehabilitimin dhe modernizimin e hidrocentralit të Ujmanit, përmes bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë.

Sipas tij, në vitin 2024 “Ibër Lepenci” ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe ndërmarrjen SCP për përgatitjen e një studimi fizibiliteti që përfshin modernizimin e skemës së ujitjes, rehabilitimin dhe rritjen e eficiencës së hidrocentralit, mundësi të reja gjeneruese dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Ndërkohë, me mbështetjen e Bankës Botërore ka nisur studimi i diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit, ndërsa raporti përfundimtar pritet të dorëzohet në shtator të këtij viti. Pas përfundimit të këtij procesi, ndërmarrja pritet të aplikojë për asistencë teknike për dizajnin e detajuar përmes fondit të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Modernizimi i infrastrukturës ekzistuese hidroenergjetike është një nga drejtimet që po ndiqet edhe në vendet e tjera të rajonit, ku hidrocentralet po konsiderohen gjithnjë e më shumë si kapacitete strategjike për fleksibilitetin dhe balancimin e sistemeve elektroenergjetike.

“Ibër Lepenci” pjesë e tregut të përbashkët energjetik Kosovë–Shqipëri

Kurti theksoi gjithashtu se nga viti 2024 “Ibër Lepenci” tregton energjinë elektrike në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX), duke vlerësuar se kjo ka ndihmuar në rritjen dhe stabilizimin e të hyrave të ndërmarrjes.

Hidrocentrali i Ujmanit, i ndërtuar në periudhën 1977–1981, është një nga kapacitetet më të rëndësishme hidroenergjetike në Kosovë dhe pjesë e një sistemi më të gjerë hidroteknik që ka rol të rëndësishëm në menaxhimin e ujërave për industri, bujqësi dhe konsumatorë.

Në kuadër të planeve më të gjera për zhvillimin e infrastrukturës ujore dhe energjetike, institucionet e Kosovës kanë diskutuar edhe për zhvillimin e projekteve të reja të digave multifunksionale, të cilat synojnë rritjen e sigurisë së furnizimit me ujë dhe krijimin e mundësive shtesë për prodhim dhe balancim të energjisë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com