Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mbrojtur performancën e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përballë kritikave për rënien e prodhimit të energjisë elektrike dhe gjendjen e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.
Duke iu përgjigjur kritikave për prodhimin vendor, Rizvanolli ka krahasuar të dhënat e KEK-ut gjatë qeverisjeve të kaluara me ato të mandatit aktual, duke thënë se prodhimi në disa prej viteve të mëparshme ishte 5.1 deri në 5.2 teravat-orë (TWh), ndërsa në një vit gjatë qeverisjes aktuale kishte arritur në 5.8 TWh.
Sipas saj, ky nivel prodhimi ishte arritur edhe në periudhën kur nuk ishin realizuar investime të mëdha në termocentrale.
Rizvanolli ka theksuar se gjatë viteve 2023, 2025 dhe 2026 janë realizuar investime të papara në historinë e termocentraleve, duke përmendur në veçanti ndërhyrjet në njësitë e Kosovës B.
“Prodhimi në vitet 2023, 2025 dhe 2026 është bërë për shkak se po bëhen investime që s’janë bërë kurrë”, ka deklaruar Rizvanolli.
Ajo ka kundërshtuar, gjithashtu, krahasimin e prodhimit ndërmjet viteve pa marrë parasysh periudhat e investimeve dhe remontet në njësitë prodhuese, duke i cilësuar kritikat si përpjekje për t’i paraqitur faktet në mënyrë të njëanshme.


