Energjia nga burimet e ripërtëritshme përbënte 105.2% të konsumit bruto të energjisë elektrike në Shqipëri gjatë vitit 2025, duke e renditur vendin pas vetëm Norvegjisë dhe Islandës në Evropë.
Shqipëria ka regjistruar një nga nivelet më të larta të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme në Evropë.
Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 burimet e ripërtëritshme përbënin 105.2% të konsumit bruto të energjisë elektrike në vend.
Përqindja mbi 100% shpjegohet me faktin se Shqipëria prodhon më shumë energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme sesa konsumon në total.
Në Evropë, vetëm Norvegjia dhe Islanda kanë një nivel më të lartë, ndërsa Shqipëria renditet përpara të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Në të gjithë BE-në, pjesa e energjisë së ripërtëritshme në konsumin bruto të energjisë elektrike arriti në 49.9% në vitin 2025, 2.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë. Austria kryesoi vendet anëtare me 90.8%, e ndjekur nga Suedia me 89.2% dhe Danimarka me 77.7%.
Shqipëria kishte gjithashtu një pozicion të fortë në vitin 2016, kur energjia e ripërtëritshme përbënte 85% të konsumit të energjisë elektrike. Megjithatë, rritja prej më shumë se 20 pikë përqindje në nëntë vjet ka ardhur kryesisht nga rritja e prodhimit hidroenergjetik.
Hidrocentralet vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e sistemit energjetik shqiptar.
Hidrocentrali i Komanit, në lumin Drin, siguron rreth 65% të energjisë elektrike të vendit, ndërsa sistemi hidroenergjetik shqiptar është ndërtuar kryesisht gjatë periudhës së komunizmit dhe më pas është zgjeruar edhe përmes investimeve private.
Por kjo varësi krijon një dobësi të rëndësishme: prodhimi i energjisë varet drejtpërdrejt nga kushtet e motit. Në periudhat me reshje të pakta, prodhimi hidroenergjetik mund të bjerë ndjeshëm, duke e detyruar Shqipërinë të importojë energji nga tregjet rajonale.
Një shembull i qartë është viti 2017, kur prodhimi i energjisë ra me 36.6% pas një periudhe të zgjatur thatësire. Ndërsa në vitin 2018, me rikthimin e reshjeve, prodhimi u rrit ndjeshëm. Në vitin 2019, prodhimi ra në 5.2 TWh nga 8.5 TWh një vit më parë.
Këto luhatje kanë ndikim edhe në financat publike, pasi në vitet e thata Shqipëria duhet të blejë energji në tregun rajonal. Rreziku pritet të bëhet më i madh në të ardhmen, pasi parashikimet klimatike për Mesdheun tregojnë për vera më të nxehta dhe më të thata, si dhe reshje më të paqëndrueshme.
Pavarësisht kësaj, sistemi shqiptar ka një avantazh të rëndësishëm krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: ekspozimi i ulët ndaj gazit të importuar.
Gjatë krizave të fundit energjetike, Shqipëria është mbrojtur pjesërisht nga goditjet e çmimeve të gazit, pasi prodhimi i energjisë elektrike mbështetet kryesisht te hidrocentralet.
Për të reduktuar varësinë nga kushtet hidrike, vitet e fundit vendi ka nisur të investojë më shumë në energjinë diellore dhe atë të erës.
Parku fotovoltaik i Karavastasë, me kapacitet 140 MW, është aktualisht një nga projektet më të mëdha diellore në Ballkanin Perëndimor. Atij i është shtuar edhe projekti 100 MW në Spitallë, ndërsa pas ankandit të energjisë diellore janë dhënë licenca për rreth 980 MW kapacitet të ri.
Edhe energjia e erës pritet të luajë një rol më të madh. Në vitin 2023 u zhvillua ankandi i parë për energjinë eolike në Shqipëri, ku ndër kompanitë fituese ishin TotalEnergies, përmes Total Eren, dhe kompania austriake Verbund.
Në raport me rajonin, Shqipëria mbetet një rast i veçantë. Ndërsa shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbështeten te qymyri, Shqipëria prodhon pjesën dërrmuese të energjisë elektrike nga hidrocentralet. Në vitin 2025, rreth 48.2% e energjisë së prodhuar në Ballkanin Perëndimor vinte nga qymyri.
Kosova, në kontrast të fortë me Shqipërinë, vazhdon të prodhojë pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga termocentralet me qymyr. Në këtë kontekst, dy vendet fqinje, të lidhura përmes rrjetit energjetik, kanë profile krejtësisht të ndryshme prodhimi.
Megjithatë, varësia e Shqipërisë nga hidrocentralet nënkupton se gjatë viteve të thata vendi mbështetet në importet nga rrjeti rajonal, ku qymyri zë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit.
Për këtë arsye, diversifikimi përmes energjisë diellore dhe asaj të erës shihet si një nga rrugët kryesore për të ulur rrezikun e varësisë nga reshjet dhe për të garantuar një sistem energjetik më të qëndrueshëm.
/albanianpost.com



