Driton Gojani është zgjedhur kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa Lutfije Dervishi është zgjedhur anëtare e Bordit.
Pas votimit në Kuvend, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar përvojën profesionale të dy të zgjedhurve, duke theksuar përvojën e tyre shumëvjeçare në sektorin energjetik.
Gojani mori 62 vota, kundrejt shtatë votave për Ymer Fejzullahun, i cili deri tani e mbante pozitën e kryesuesit. Në votim morën pjesë 69 deputetë, ndërsa mandati i Gojanit është pesëvjeçar, njofton Energy Monitor.
Sipas Rizvanollit, Gojani ishte kandidati më i poentuar nga komisioni rekomandues për pozitën e kryesuesit. Ai ka mbi 20 vite përvojë në sektorin e energjisë në Kosovë dhe jashtë vendit dhe ka punuar në projekte të mbështetura nga USAID, DFID, Banka Botërore, MCC, LuxDev dhe UNDP.
Ekspertiza e tij përfshin rregullimin dhe reformimin e sektorit energjetik, zhvillimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe integrimin rajonal, operimet e rrjetit, reduktimin e humbjeve dhe zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Rizvanolli ka veçuar edhe kontributin e Gojanit në zhvillimin e legjislacionit sekondar, dizajnin e tregut të energjisë elektrike, ankandet për energjinë e ripërtëritshme dhe operacionalizimin e ALPEX-it.
Lutfije Dervishi, ndërkaq, është zgjedhur anëtare e Bordit. Ajo ka afro 30 vite përvojë në sektorin energjetik dhe më parë ka shërbyer një mandat si anëtare e Bordit të ZRRE-së.
Sipas ministres, Dervishi ishte kandidatja grua më e poentuar në listën e komisionit rekomandues për pozitat e anëtarëve të Bordit.
Gjatë karrierës së saj, Dervishi ka punuar në fushën e rregullimit të sektorit energjetik, tarifave, liberalizimit të tregut, integrimit rajonal dhe harmonizimit të kuadrit rregullativ me legjislacionin evropian. Ajo ka kontribuar gjithashtu në zhvillimin dhe funksionalizimin e ALPEX-it, menaxhimin rregullativ të krizës energjetike, zhvillimin e rrjetit distributiv dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme.
Për pozitën e anëtarit tjetër të Bordit të ZRRE-së do të shpallet konkurs.



