Home / Lajme / Kosova / Lutfije Dervishi në mesin e kandidatëve për Bordin e ZRRE-së, nga opozita kritikojnë procesin

Lutfije Dervishi në mesin e kandidatëve për Bordin e ZRRE-së, nga opozita kritikojnë procesin

Lutfije Dervishi është në mesin e katër kandidatëve të propozuar nga Qeveria e Kosovës për dy pozitat e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa procesi i përzgjedhjes është përcjellë me kritika nga opozita dhe organizatat që monitorojnë sektorin publik.

Qeveria i ka propozuar për dy pozitat e anëtarëve të Bordit Driton Gojanin, Lutfije Dervishin, Hana Jakupin dhe Senad Domuzetin. Emrat janë proceduar për shqyrtim dhe votim në Kuvendin e Kosovës, i cili ka kompetencën për emërimin përfundimtar të anëtarëve të Bordit.

Dervishi nuk është emër i ri në ZRRE. Ajo ka qenë anëtare e Bordit deri në përfundimin e mandatit më 2 gusht 2026, së bashku me kryesuesin Ymer Fejzullahu dhe anëtarin Gani Buçaj. Pas përfundimit të këtyre mandateve, Bordi i ZRRE-së ka mbetur pa kuorum për marrjen e vendimeve, përcjell Energy Monitor.

Sipas ZRRE-së, ligji kërkon të paktën tre anëtarë për kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje. Për pasojë, ndërsa stafi profesional vazhdon aktivitetet që janë në kompetencën e tij, çështjet që kërkojnë vendim të Bordit nuk mund të përmbyllen.

Në mesin e këtyre çështjeve janë procedurat e licencimit, autorizimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ankesat e konsumatorëve dhe vendimet për tarifat e energjisë elektrike. Deri në funksionalizimin e Bordit, vazhdojnë të zbatohen tarifat ekzistuese.

Konkursi për kryesuesin dhe dy anëtarët e Bordit ishte shpallur nga Ministria e Ekonomisë më 28 prill 2026. Për dy pozitat e anëtarëve ishin pranuar 13 aplikacione, ndërsa në listën e ngushtë për intervistë ishin përfshirë 12 kandidatë. Intervistat u zhvilluan më 17 dhe 18 gusht. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, në proces kishte marrë pjesë edhe një përfaqësues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në cilësinë e monitoruesit.

Megjithatë, pikërisht rezultatet e këtij procesi kanë nxitur kritikat kryesore.

Sipas rezultateve të vlerësimit të publikuara pas procesit të intervistimit, disa prej kandidatëve me pikët më të larta nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve të propozuar nga Qeveria.

Driton Gojani është renditur i dyti me 49 pikë, ose 81.7 për qind, ndërsa Lutfije Dervishi është renditur e pesta me 45.7 pikë, ose 76.1 për qind. Senad Domuzeti ka marrë 43.7 pikë, ndërsa Hana Jakupi 42.7 pikë.

Ndër kandidatët që kanë marrë rezultate më të larta, por nuk janë përfshirë në propozimin e Qeverisë, janë Petrit Pepaj, Gani Buçaj dhe Skender Muqolli, sipas dokumenteve të vlerësimit të publikuara, njofton Energy Monitor.

Kjo ka nxitur reagime nga opozita, e cila e ka cilësuar procesin si të improvizuar dhe ka kërkuar ndërhyrje politike për rikthimin e meritokracisë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve publike.

Kritika të ngjashme ka bërë edhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), i cili ka kërkuar transparencë lidhur me arsyetimin për kandidatët e propozuar. Sipas INDEP-it, në një proces konkurrues ku kandidatët vlerësohen dhe renditen profesionalisht, ndryshimet e konsiderueshme mes rezultateve të pikëzimit dhe propozimit përfundimtar duhet të shoqërohen me arsyetim të qartë, publik dhe të verifikueshëm.

INDEP ka theksuar se çështja nuk lidhet vetëm me emrat e kandidatëve, por me mënyrën se si përzgjidhen drejtuesit e një institucioni që ka rol qendror në funksionimin e sektorit energjetik.

Sipas institutit, ZRRE duhet ta ruajë pavarësinë institucionale, juridike dhe financiare, si nga ndikimi politik, ashtu edhe nga interesat e kompanive të energjisë. INDEP ka kërkuar që Kuvendi të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës gjatë procesit të emërimit dhe që përzgjedhja të bazohet në profesionalizëm, integritet dhe rezultate të dokumentuara.

Kritikat vijnë në një moment kur ZRRE-ja ka funksionuar pa kuorumin e nevojshëm të Bordit që nga fillimi i gushtit.

Mungesa e Bordit funksional ka rëndësi të drejtpërdrejtë edhe për sektorin e energjisë, pasi vendimmarrja e rregullatorit prek licencimin, autorizimin e kapaciteteve të reja, ankesat e konsumatorëve dhe tarifat e energjisë elektrike.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com