Bursa Shqiptaro-Kosovare e Energjisë Elektrike (ALPEX) ka vijuar rritjen e aktivitetit tregtar gjatë vitit 2026. Në periudhën janar–gusht, në tregjet e ALPEX-it janë tregtuar gjithsej 1,665 GWh energji elektrike, rreth 63% më shumëkrahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vëllimi i tregtimit gjatë tetë muajve të parë të këtij viti është tashmë pothuajse i barabartë me të gjithë energjinë e tregtuar në ALPEX gjatë vitit 2025. Shifra përfshin aktivitetin si në tregun njëditor (Day-Ahead), ashtu edhe në tregun brenda ditës (Intraday).
Rritja e aktivitetit është shoqëruar me një zgjerim të likuiditetit dhe pjesëmarrjes në treg, ndërsa ALPEX thekson edhe rritjen e tregtimit ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Ndryshe nga vëllimi, çmimi mesatar i energjisë elektrike në tregun me shumicë ka shënuar rënie. Në tetë muajt e parë të vitit, çmimi mesatar ishte 97.31 euro/MWh, krahasuar me 119.18 euro/MWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Rritja e aktivitetit të ALPEX-it vjen pas një serie rezultatesh pozitive gjatë vitit. Në maj, tregu njëditor regjistroi rekord historik me 202.9 GWh energji të tregtuar, ndërsa në korrik vëllimi arriti në 226.3 GWh, 31% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Në fund të gushtit, ALPEX arriti edhe në 50 anëtarë, pas anëtarësimit të kompanisë BE POWER, e cila operon në Zonën e Ofertimit të Kosovës.
ALPEX është themeluar nga operatorët e transmetimit të Shqipërisë dhe Kosovës, OST dhe KOSTT. Bursa nisi tregtimin ndërmjet dy zonave të ofertimit në janar 2024 dhe aktualisht funksionon si një nga mekanizmat kryesorë të tregut të organizuar të energjisë elektrike në të dyja vendet.
/Energy Monitor



