Home / Lajme / Rajoni / BE 1,5 miliardë euro investime në Shqipëri, mes projekteve parku fotovoltaik në Belsh dhe ai lundrues në Vaun e Dejës

BE 1,5 miliardë euro investime në Shqipëri, mes projekteve parku fotovoltaik në Belsh dhe ai lundrues në Vaun e Dejës

Bashkimi Evropian pritet të mobilizojë rreth 1.5 miliardë euro investime në Shqipëri përmes mbështetjes së tij financiare, me energjinë dhe infrastrukturën ndër sektorët kryesorë ku po përqendrohen projektet.

Në portofolin e investimeve të mbështetura nga BE-ja përfshihen edhe dy projekte të energjisë diellore – parku fotovoltaik prej 50 MW në Belsh dhe impianti fotovoltaik lundrues në rezervuarin e Vaut të Dejës.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, që prej vitit 2021 BE-ja ka ofruar 588 milionë euro për Shqipërinë përmes nismës Global Gateway. Këto fonde pritet të shërbejnë për mobilizimin e rreth 1.5 miliardë eurove investime gjithsej, veçanërisht përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), përcjell Energy Monitor.

Belshi, projekt 50 MW

Një nga projektet kryesore energjetike është Parku Fotovoltaik i Belshit, me kapacitet prej 50 MW. Projekti është duke u zhvilluar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ndërsa financimi përfshin një kredi prej 30 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant prej rreth 9.6 milionë eurosh nga WBIF. Kostoja totale e projektit vlerësohet në rreth 41.8 milionë euro.

Sipas WBIF, centrali pritet të prodhojë rreth 79 GWh energji elektrike në vit, ekuivalente me konsumin vjetor të rreth 16,100 familjeve, dhe të shmangë më shumë se 50 mijë tonë emetime CO₂ në vit. Projekti synon gjithashtu të diversifikojë prodhimin shqiptar dhe të ulë ekspozimin e sistemit ndaj mungesës së prodhimit hidroenergjetik.

Vau i Dejës, energjia diellore mbi rezervuar

Në listën e projekteve të mbështetura nga BE-ja është edhe centrali fotovoltaik lundrues në Vau të Dejës, me kapacitet prej 12.9 MW. Impianti do të vendoset mbi rezervuarin e hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe do të funksionojë në kombinim me prodhimin hidroenergjetik, njofton Energy Monitor.

Sipas Komisionit Evropian, impianti pritet të prodhojë më shumë se 18 GWh energji elektrike në vit dhe të shmangë rreth 8,700 tonë CO₂ në vit. Projekti është konceptuar si një nga aplikimet e para të teknologjisë së paneleve fotovoltaike lundruese në shkallë të mesme në Ballkanin Perëndimor.

Projekti i Vaut të Dejës është aktualisht në fazën e zbatimit. Sipas WBIF, investimi total vlerësohet në rreth 12.1 milionë euro, me një grant prej rreth 2.7 milionë eurosh dhe kredi prej rreth 7.5 milionë eurosh nga BERZH, ndërsa përfundimi i projektit parashikohet në vitin 2027.

Të dy projektet janë pjesë e përpjekjeve për të rritur prodhimin e energjisë diellore në Shqipëri dhe për të diversifikuar një sistem energjetik që vazhdon të mbështetet në masë të madhe te hidrocentralet.

Shqipëria synon të shtojë kapacitete nga burimet e tjera të ripërtëritshme për të ulur ekspozimin ndaj ndryshimeve të prodhimit hidroenergjetik dhe nevojës për importe gjatë periudhave me reshje të pakta, raporton Energy Monitor.

Më shumë financime evropiane për energjinë

Mbështetja evropiane për sektorin energjetik shqiptar shtrihet edhe përtej dy projekteve diellore. Sipas Komisionit Evropian, për periudhën 2021–2027 Shqipëria ka në dispozicion rreth 680 milionë euro mbështetje përmes IPA III, ku përfshihen edhe fonde për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën energjetike.

Në kuadër të Reform and Growth Facility, Shqipëria ka gjithashtu në dispozicion 922.1 milionë euro për periudhën 2024–2027, ndërsa deri në maj 2026 ishin disbursuar 212.8 milionë euro.

Për sektorin energjetik, këto investime synojnë të rrisin kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme, të diversifikojnë prodhimin dhe të përmirësojnë sigurinë e furnizimit, ndërsa financimi përmes WBIF kombinon grantet evropiane me kredi të institucioneve financiare ndërkombëtare.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com