Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Miratohen dy centrale të reja fotovoltaike prej 51.5 MW në Fier dhe Cërrik

Shqipëri: Miratohen dy centrale të reja fotovoltaike prej 51.5 MW në Fier dhe Cërrik

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar ndërtimin e dy centraleve të reja fotovoltaike në Fier dhe Cërrik, me kapacitet të kombinuar prej 51.5 MW.

Projekti më i madh, me kapacitet 31 MW, do të zhvillohet nga kompania ALB ENERGY GROUP në zonën e Povelçës, në njësinë administrative Dërmenas të Bashkisë Fier. Centrali tjetër, me kapacitet 20.5 MW, do të ndërtohet nga TI SOLAR POWER pranë fshatit Trokaj, në njësinë administrative Shalës të Bashkisë Cërrik.

Të dyja projektet janë miratuar si centrale gjeneruese që nuk janë objekt koncesioni dhe nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse shtetërore.

Sipas vendimeve të qeverisë, investitorët kanë afat deri në 36 muaj për ndërtimin, pajisjen me lejet përkatëse dhe vënien në operim të centraleve, përcjell Energy Monitor.

Projektet do të operojnë për një periudhë 49-vjeçare dhe, në kuadër të detyrimeve të përcaktuara nga qeveria, kompanitë do t’i japin shtetit një “royalty” në masën 2% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike ose kundërvlerën e tij monetare.

Me këto dy projekte, kapacitetit të energjisë diellore në Shqipëri pritet t’i shtohen edhe 51.5 MW, në kuadër të zgjerimit të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com