Home / Lajme / Kosova / Tranzicioni i gjelbër shihet si nevojë për konkurrueshmërinë e bizneseve në Kosovë

Tranzicioni i gjelbër shihet si nevojë për konkurrueshmërinë e bizneseve në Kosovë

Tranzicioni i gjelbër po shihet gjithnjë e më shumë si një nevojë për rritjen dhe konkurrueshmërinë e bizneseve në Kosovë, u theksua në hapjen e Pavijonit të Tranzicionit të Gjelbër në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2026.

Pavijoni u hap me një panel diskutimi ku morën pjesë përfaqësues të bizneseve, Odës Ekonomike të Kosovës dhe ekspertë të tranzicionit të gjelbër. Në fokus ishte mënyra se si bizneset mund të përshtaten me kërkesat e reja për qëndrueshmëri dhe të përfitojnë nga investimet në teknologji dhe praktika të gjelbra.

Diskutimi trajtoi edhe rëndësinë e financimit të gjelbër, i cili u vlerësua jo vetëm si mbështetje për investime në teknologji më të pastra, por edhe si një mundësi për bizneset për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, përcjell Energy Monitor.

Një tjetër mesazh i panelit ishte se certifikimet dhe standardet e gjelbra dhe të qëndrueshmërisë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për kompanitë. Këto kërkesa mund të ndikojnë në qasjen e bizneseve në tregje, financim dhe mundësi të reja bashkëpunimi.

Në diskutim u theksua gjithashtu se tranzicioni i gjelbër nuk duhet të shihet vetëm si çështje mjedisore, por edhe si proces ekonomik që lidhet me investimet, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat.

Pavijoni i Tranzicionit të Gjelbër është pjesë e Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar Prishtina 2026, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, dhe do të qëndrojë i hapur deri më 19 shtator, njofton Energy Monitor.

Pavijoni mbështetet nga projekti për Transformimin e Gjelbër të Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK), projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas Kosovo.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com